KFOR thotë se ka katërfishuar praninë në veri të Kosovës dhe trefishuar patrullimet përgjatë vijës kufitare

29.11.2023

Misioni i forcave paqëruajtës të NATO-s e ka katërfishuar praninë në veriun e Kosovës. Gjithashtu edhe janë trefishuar patrullimet përgjatë vijës kufitare. Po thuajse 1 mijë ushtarë me armatim të rëndë janë dislokuar në veri. Kjo si rezultat i ngjarjeve të fundit në atë pjesë. KFOR-i thekson se mban një qëndrim fleksibël dhe të shkathët […]

KFOR thotë se ka katërfishuar praninë në veri të Kosovës dhe trefishuar patrullimet përgjatë vijës kufitare Foto: Ilustrim

Misioni i forcave paqëruajtës të NATO-s e ka katërfishuar praninë në veriun e Kosovës.

Gjithashtu edhe janë trefishuar patrullimet përgjatë vijës kufitare.

Po thuajse 1 mijë ushtarë me armatim të rëndë janë dislokuar në veri. Kjo si rezultat i ngjarjeve të fundit në atë pjesë.

KFOR-i thekson se mban një qëndrim fleksibël dhe të shkathët në mbarë Kosovën dhe është i gatshëm të t’u përgjigjet të gjithë skenarëve të mundshëm, në përputhje me mandatin e tij në OKB.

“Misioni ynë mbetet shërbimi i tretë i sigurisë në Kosovë, pas Policisë së Kosovës dhe EULEX-it, komandanti ynë është në kontakt të rregullt me ​​të gjithë”, thotë KFOR-i.

“KFOR-i është plotësisht i fokusuar në zbatimin e mandatit të OKB-së, bazuar në Rezolutën 1244 të Këshillit të Sigurimit të OKB-së për të ofruar një mjedis të sigurt për të gjitha komunitetet që jetojnë në Kosovë, në çdo kohë dhe në mënyrë të paanshme”.

Ndryshe, sekretari amerikan i Shtetit, Antony Blinken, tha se gjatë takimit në Bruksel të ministrave të Jashtëm të NATO-s kanë diskutuar për rolin e aleancës në rajonin e Ballkanit Perëndimor dhe në promovimin e paqes.

Kryediplomati amerikan tha se gjëja që nuk duan të shohin në këtë rajon është rikthimi i konflikteve.

“Kur kam nisur këtë karrierë, në qendër të shqetësimeve tona ka qenë Ballkani. Në qendër të shqetësimit tonë dhe të shqetësimeve të shteteve në mbarë botën, veçmas në zonën transatlantike, ishte Ballkani, Bosnja dhe më pas Kosova. Një gjë që ne nuk duam të ndodhë në të ardhmen është kthimi i konflikteve në Ballkan. NATO ka luajtur rol kyç që të ndihmojë shtetet e rajonit të bëjnë përparim në rrugën e tyre drejt anëtarësimit në Bashkimin Evropian dhe në stabilitetin më të gjerë evropian”, tha ai, duke shtuar se NATO për një kohë të gjatë është shtyllë e sigurisë në Ballkanin Perëndimor.

Blinken foli edhe për tensionet në veri të Kosovës të banuar me shumicë serbe, që kanë nisur në maj dhe që kanë kulmuar në shtator, pasi një grup i armatosur serbësh kreu sulm të armatosur ndaj Policisë së Kosovës.

Më 24 shtator në Banjskë të Zveçanit, Serbia kreu agresion ndaj shtetit të Kosovës.

Si rezultat i sulmit terrorist nga një grup serb, i udhëhequr nga Milan Radoiçiq, u vra polici Afrim Bunjaku.

Kjo ngjarje bëri që vende si Britania, Rumania, Kroacia, Shqipëria e tani së fundmi edhe Shqipëria, të dërgojnë trupa shtesë.