KFOR ndihmon në luftimin e zjarreve në Kosovë – helikopterë amerikanë kryejnë mbi 18 hedhje uji nga ajri
Misioni i udhëhequr nga NATO, KFOR, me trupa ajrore amerikane të vendosura në Komandën Rajonale-Lindje, po vazhdon të ndihmojë Agjencinë për Menaxhimin e Emergjencave në Kosovë për të përballuar vatrat e shumta të zjarrit që kanë përfshirë disa pjesë të vendit.
Dy helikopterë UH-60 Black Hawk të KFOR-it, të pajisur me sisteme për hedhje uji nga ajri (Bambi Buckets), kanë kryer shumë ndërhyrje ajrore mbi zonat e prekura nga zjarret. Gjatë një periudhe dyorëshe, ekuipazhet kanë realizuar 18 hedhje uji, duke shpërndarë më shumë se 43,500 litra ujë në përpjekje për të vënë nën kontroll flakët që rrezikonin popullatën civile dhe infrastrukturën lokale.
Këto veprime tregojnë qartë kapacitetin reagues të KFOR-it, si dhe përkushtimin e tij të vazhdueshëm për të mbrojtur komunitetet lokale dhe për të mbështetur autoritetet civile gjatë situatave të emergjencës.
Ndërhyrja ajrore e KFOR-it vjen në një kohë kur pjesë të ndryshme të Kosovës po përballen me temperatura të larta dhe kushte të thata, që po nxisin përhapjen e zjarreve në zona të pyllëzuara dhe afër vendbanimeve.