Kërkohet që vaksinimi anti-COVID të bëhet obligativ në Kosovë

27.01.2022

Në fjalën e tij deputeti nga radhët e Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK) njëherit edhe infektolog, Shemsedin Dreshaj, ka kërkuar nga Qeveria e vendit që vaksinimin kundër COVID-19 ta bëjë obligativ. Sipas Dreshajt, vaksinimi masiv e ndihmon vendin që të dalim nga situata me pandeminë COVID-19, prandaj sipas tij duhet që qeveria ta bëjë […]

Kërkohet që vaksinimi anti-COVID të bëhet obligativ në Kosovë Foto: vaksinimi_covid-19

Në fjalën e tij deputeti nga radhët e Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK) njëherit edhe infektolog, Shemsedin Dreshaj, ka kërkuar nga Qeveria e vendit që vaksinimin kundër COVID-19 ta bëjë obligativ.

Sipas Dreshajt, vaksinimi masiv e ndihmon vendin që të dalim nga situata me pandeminë COVID-19, prandaj sipas tij duhet që qeveria ta bëjë obligativ vaksinimin sidomos për institucionet publike.

“Vaksinimi masiv është dalja nga situata. Numri aktual i të vaksinuarve brenda 24 orëve vetëm prej disa mijëra dozave është vërtetë brengosëse kur e dimë që kapacitetet i kemi mbi 20 mijë doza vaksinë për 24 orë.

Ju rekomandojë që vaksinimin ta bëni obligativ, në veçanti për institucionet publike, gjë që e kanë bërë shumë vende të Bashkësisë Evropiane dhe shumë vende të rajonit tonë, nga sot edhe Shqipëria”, ka deklaruar deputeti Dreshaj.

Po ashtu, ai ka shtuar se një numër i madh i punëtorëve shëndetësorë në Klinikën Infektive janë infektuar me COVID-19 gjatë ditëve të fundit.

Infektologu Dreshaj ka theksuar se do të jemi në mungesë të stafit mjekësor në kohën kur më së shumti do të kemi nevojë.

Gjithashtu, ai në fjalën e tij në Kuvend ka paralajmëruar edhe rritje të numrit të pacientëve të hospitalizuar gjatë ditëve të ardhshme në vendin tonë.

Ai tha se po raportohet që shumica e rasteve të infektimeve me COVID-19 janë nën moshën 19-vjeçare, sipas tij një gjë e tillë është e pritshme dhe se kjo grupmoshë është grupmosha më aktive që ka vendi dhe njëkohësisht nuk ka një shkallë të lartë të vaksinimit anti-COVID.

“Dihet sëmundja ndërlikohet rrallë para ditës së pestë, zakonisht nga dita e shtatë deri ditën e dhjetë, prandaj numri i rasteve të hospitalizuara pritet të rritet në katër pesë ditët e ardhshme e me to fatkeqësishtë edhe rastet që do të kenë ecuri të pafavorshme.

Po thuhet që shumica e rasteve janë nën moshën 19-vjeçare, është e pritshme. Kjo grupmoshë është grupmosha më aktive që ka vendi dhe njëkohësisht nuk ka një shkallë të lartë të vaksinimit. E njëjta vlenë edhe për grupmoshën deri në 12-vjeç, këta as që i kemi pasur në program për t’i vaksinuar”, ka deklaruar ai.

Dreshaj ka thënë se sëmundja parandalohet me respektimin e distancës, mbajtjen e maskës dhe dezinfektimin e duarve, e jo me orë policore e shkurtimin e orarit të pandemisë.