Sigurimet shëndetësore, sfidë edhe për këtë vit

03.01.2024

Ndonëse në programin e saj politik qeveria “Kurti” kishte premtuar zbatimin e Ligjit për sigurimet shëndetësore, kjo ende nuk ka ndodhur. Opozita, ndërkaq, vlerëson se kjo çështje do të mbetet sfidë si për shëndetësinë, ashtu edhe për Qeverinë, edhe gjatë këtij viti që sapo kemi hyrë. Ligji për Sigurimet Shëndetësore ndonëse ishte miratuar gjashtëmbëdhjetë vite […]

Sigurimet shëndetësore, sfidë edhe për këtë vit Foto: Ilustrim

Ndonëse në programin e saj politik qeveria “Kurti” kishte premtuar zbatimin e Ligjit për sigurimet shëndetësore, kjo ende nuk ka ndodhur. Opozita, ndërkaq, vlerëson se kjo çështje do të mbetet sfidë si për shëndetësinë, ashtu edhe për Qeverinë, edhe gjatë këtij viti që sapo kemi hyrë.

Ligji për Sigurimet Shëndetësore ndonëse ishte miratuar gjashtëmbëdhjetë vite më parë, ai nuk u zbatua asnjëherë viteve në vazhdim, ndërsa mbetet pikëpyetje nëse do të fillojë së zbatuari edhe këtë vit. Qytetarët, por edhe opozita, presin nga Qeveria që ta funksionalizojë këtë shërbim, ndonëse gjatë vitit që e lamë pas nuk është as një hap në këtë drejtim.

Deputeti LDK-së, Avdullah Hoti, ka fajësuar Qeverinë aktuale pasi, sipas tij, projekti për sigurimet shëndetësore ka qenë i gatshëm. Hoti ka theksuar për Radio Kosovën se as gjatë këtij viti, kjo qeveri nuk ka ndonjë plan që të fillojë me sigurime shëndetësore.

“Sigurimet shëndetësore, projekt që ka qenë i gatshëm qysh nga qeveria ‘Mustafa’ dhe mandej edhe në qeverinë ‘Haradinaj’, nuk ka shkuar tutje dhe nuk është zbatuar për shkak të pandemisë. Por, as në vitin 2024 nuk ka ndonjë plan që do të fillohet me sigurime shëndetësore”, tha Hoti.

Edhe deputeti i AAK-së, Shëmsedin Dreshaj, njëherësh edhe anëtar i Komisionit për Shëndetësi, thotë se procesi i sigurimeve shëndetësore ka ngecur si pasojë e mosgatishmërisë politike dhe jo asaj qytetare.

“Mendoj që është obliguese që ne të fillojmë të kontribuojmë dhe të marrim pjesë në krijimin e fondit të sigurimeve shëndetësore dhe sigurimet shëndetësore të jenë ato që çojnë përpara procesin e prosperitetit të shëndetësisë. Nuk është mirë 15 vite pas themelimit si shtet, të mos kemi sigurime shëndetësore. Ne duhet të evokojmë, që ky fond të krijohet sa më shpejt”, theksoi Dreshaj për Radio Kosovën.