Keqtrajtuan fizikisht qytetarin e prangosur, arrestohen 3 zyrtarët policorë

30.06.2025

Tre zyrtarë policorë janë arrestuar nga autoritetet, nën dyshimin se kanë keqtrajtuar fizikisht një person gjatë arrestimit të tij, duke tejkaluar autorizimet ligjore, ndërkohë që viktima ishte i prangosur.

Lajmi është konfirmuar nga një komunikatë e përbashkët e Prokurorisë Themelore në Pejë dhe Inspektoratit Policor të Kosovës (IPK), e cila sqaron se ndalimi i tyre është bërë me urdhër të prokurorit të shtetit.

“Sipas urdhrit të prokurorit të shtetit, tre të dyshuarit (zyrtarë policorë) janë ndaluar për 48 orë për veprën penale ‘Keqtrajtim gjatë ushtrimit të detyrës zyrtare ose autorizimeve publike’”, thuhet në njoftim.

Sipas IPK-së, rasti ka ndodhur më 28 qershor 2025 në rrugën “Ismail Qemajli” në qytetin e Klinës, konkretisht në oborrin e shtëpisë së një qytetari.

Hetimet fillestare kanë nxjerrë dyshime se zyrtarët policorë kanë tejkaluar autorizimet gjatë përdorimit të forcës ndaj të ndaluarit. IPK thekson se versioni i dhënë nga policët në deklaratat dhe raportet zyrtare nuk përputhet me pamjet e incizuara dhe provat faktike të mbledhura në vendngjarje.

Autoritetet kanë bërë të ditur se hetimet për zbardhjen e plotë të rastit janë në vijim.