Keqinformimi në Kosovë: Albin Kurti në qendër të sulmeve në rrjetet sociale

para 9 dite

Parafushata zgjedhore po intensifikon përhapjen e lajmeve të rreme, veçanërisht në TikTok

Keqinformimi në Kosovë: Albin Kurti në qendër të sulmeve në rrjetet sociale

Sipas raportit të fundit të platformës për verifikimin e fakteve, Hibrid.info, Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, është bërë shënjestra kryesore e fushatës së keqinformimit në muajin tetor. Raporti zbulon se në prag të zgjedhjeve të ardhshme, është vërejtur një rritje e dukshme e përmbajtjeve të rreme dhe manipuluese, veçanërisht në platformën TikTok.

Hulumtimet e Hibrid.info kanë analizuar mbi 44 përmbajtje keqinformuese, duke konstatuar se lajmet e rreme janë forma më e përhapur e manipulimit me opinionin publik. Festim Rizanaj, hulumtues në Hibrid.info, thekson se keqinformimi po vazhdon të jetë një problem serioz në Kosovë, veçanërisht gjatë periudhave parazgjedhore.

“Lajmet e rreme janë përhapur kryesisht në TikTok, duke e bërë këtë platformë fokuset kryesor të fushatës së keqinformimit,” tha Rizanaj. Sipas të dhënave të raportit, 73% e përmbajtjeve keqinformuese janë publikuar në rrjetet sociale, ndërsa 18% janë përhapur nga media tradicionale.

LEXO EDHE:  Kurti e filloi vizitën në Sarajevë me homazhe në memorialin e 1601 fëmijëve të vrarë nga forcat serbe

Sondazhet e falsifikuara janë një tjetër problem i madh që po përballet me Kosovën. Fatbardh Dema, një tjetër ekspert i fushës, ka konfirmuar se që nga muaji gusht janë identifikuar 14 sondazhe të rreme, të cilat janë përhapur me qëllim të manipulimit të opinionit publik dhe ndikimit në rezultatet e zgjedhjeve.

Temat kryesore të keqinformimit përfshijnë sondazhet zgjedhore, situata në veri të Kosovës, dialogu me Serbinë, rritja e pagave dhe konkurset për punësim.

Ekspertët paralajmërojnë se përhapja e lajmeve të rreme para zgjedhjeve mund të ketë një ndikim negativ në procesin demokratik dhe të polarizojë më tej shoqërinë kosovare. Ata bëjnë thirrje për një angazhim më të madh të institucioneve, medias dhe qytetarëve në luftën kundër keqinformimit.

Etiketat