KEDS thërret konferencë për media pas shqetësimeve për njehsorët e energjisë
Kompania për Distribuimin e Energjisë Elektrike në Kosovë (KEDS) ka reaguar ndaj diskutimeve të fundit në opinion publik lidhur me saktësinë e njehsorëve të energjisë elektrike, duke theksuar se çdo shqetësim i konsumatorëve trajtohet me seriozitet të plotë.
Në një njoftim zyrtar, KEDS bën të ditur se të gjithë njehsorët kalibrohen dhe sinkronizohen sipas standardeve zyrtare dhe funksionojnë në përputhje me rregullat e përcaktuara nga Rregullatori, duke garantuar matje të sakta dhe trajtim të barabartë për të gjithë konsumatorët.
Megjithatë, nga kompania pranohet se në raste të izoluara mund të ketë devijime të vogla teknike.
Sipas tyre, në çdo rast të tillë ekipet intervenuese reagojnë menjëherë, bëjnë verifikimet e nevojshme dhe ndërmarrin masa për korrigjimin e çdo parregullsie, në përputhje me procedurat në fuqi.
KEDS ka theksuar gjithashtu përkushtimin ndaj transparencës dhe informimit të drejtë të qytetarëve.
Në këtë kuadër, është paralajmëruar mbajtja e një konference për media të mërkurën, më 1 prill, në ora 15:00, ku pritet të publikohen sqarime të detajuara dhe fakte relevante mbi këtë çështje.
