Investimet e Kosovarëve në Shqipëri, rritje e ndjeshme në vitet e fundit

06.03.2025

Instituti GAP ka publikuar sot një analizë të detajuar mbi investimet e shtetasve të Kosovës në Shqipëri, duke zbuluar një trend në rritje të ndjeshme në vitet e fundit. Sipas të dhënave të Bankës së Shqipërisë, investimet e kosovarëve në Shqipëri në periudhën 2015 – TM3 2024 kanë arritur në rreth 360 milionë euro.

Analiza e Institutit GAP tregon një rritje të vazhdueshme të investimeve, veçanërisht pas vitit 2021. Në vitin 2015, investimet ishin vetëm 3 milionë euro, duke u rritur në 11 milionë në vitin 2016. Pas një periudhe të qëndrueshme, me investime 3 milionë në 2017, 28 milionë në 2018, 13 milionë në 2019, 14 milionë në 2020, një rritje e konsiderueshme u shënua në vitin 2021, me 38 milionë euro.

Rritja më e madhe e investimeve është shënuar në vitet 2022 dhe 2023, me 74 milionë euro dhe 95 milionë euro respektivisht. Në vitin 2024, deri në tremujorin e tretë, investimet kanë arritur në 80 milionë euro.

Sektorët kryesorë të investimeve

Sipas analizës së Institutit GAP, investimet e kosovarëve në Shqipëri janë të diversifikuara në disa sektorë kyç:

  • 22 për qind në aktivitete të pasurive të paluajtshme.
  • 18 për qind në energji elektrike, gaz.
  • 17 për qind në industri nxjerrëse.
  • 11 për qind në industri përpunuese.
  • 10 për qind në aktivitete financiare dhe të sigurimit.

Këto të dhëna tregojnë një interes të lartë të investitorëve kosovarë në sektorët strategjikë të ekonomisë shqiptare, duke kontribuar në zhvillimin e përbashkët ekonomik të dy vendeve.

https://www.facebook.com/institutigap/posts/pfbid02AAB3hskmxhy9iTFsFFkU7JtGJPQR2FajQmiyxFXkPUVETzrVry2v3T7yGKGtsS4fl