IKSHPK: Alarm për ndotjen e ajrit në Kosovë
Ndotja e ajrit vazhdon të mbetet një nga problemet më të mëdha mjedisore dhe shëndetësore në Kosovë, duke u konsideruar si një emergjencë serioze për shëndetin publik.
Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike të Kosovës ka ngritur shqetësim për nivelin e lartë të ndotjes, sidomos nga termocentralet Kosova A dhe B në Obiliq.
Sipas të dhënave nga Instituti Hidrometeorologjik i Kosovës dhe Agjencioni për Mbrojtjen e Mjedisit, sektori i energjisë kontribuon me rreth 40% të ndotjes së ajrit në vend.
Emisionet e dëmshme si dioksidi i squfurit, oksidet e azotit dhe grimcat PM10 dhe PM2.5 po qëndrojnë për kohë të gjatë në ajër, duke rrezikuar drejtpërdrejt shëndetin e qytetarëve.
Ekspertët paralajmërojnë se mbi 90% e këtyre grimcave, pasi depërtojnë në sistemin respirator, ndikojnë në rritjen e sëmundjeve, veçanërisht te fëmijët, të moshuarit dhe personat me sëmundje kronike.
Pasojat përfshijnë rritje të vdekshmërisë, përkeqësim të sëmundjeve të mushkërive, probleme kardiovaskulare dhe madje rrezik kancerogjen.
Ditëve të fundit është vërejtur një rritje e ndjeshme e ndotjes nga tymtarët e Obiliqit, çka ka shtyrë institucionet të kërkojnë masa urgjente.
Ndër rekomandimet kryesore janë monitorimi në kohë reale i ndotjes, kontrolli i filtrave në termocentrale, inspektime më të shpeshta dhe modernizimi i pajisjeve për reduktimin e emetimeve.
Po ashtu kërkohet rritja e hapësirave të gjelbra, informimi i qytetarëve dhe zbatimi më rigoroz i ligjeve për mbrojtjen e mjedisit.
Instituti paralajmëron se nëse nuk ndërhyhet menjëherë, pasojat për shëndetin publik do të jenë të rënda, me rritje të sëmundjeve dhe vdekshmërisë në vend.
