Ikja e fuqisë punëtore, tronditje e madhe për vendin
Sindikatat e Pavarura të Kosovës konsiderojnë se mungesa e fuqisë punëtore ka filluar të ndjehet dukshëm në vend. Ato apelojnë për kushte më të mira të punës dhe trajtim të dinjitetshëm të punëtorëve, pasi konsiderojnë se jo vetëm pagat janë arsyeja e ikjes së punëtorëve, ndërsa Dhoma e Tregtisë dhe Industrisë Kosovë thotë se ka […]
Sindikatat e Pavarura të Kosovës konsiderojnë se mungesa e fuqisë punëtore ka filluar të ndjehet dukshëm në vend.
Ato apelojnë për kushte më të mira të punës dhe trajtim të dinjitetshëm të punëtorëve, pasi konsiderojnë se jo vetëm pagat janë arsyeja e ikjes së punëtorëve, ndërsa Dhoma e Tregtisë dhe Industrisë Kosovë thotë se ka ndërmarrë disa hapa për të parandaluar largimin e fuqisë punëtore nga vendi, duke iu mundësuar të rinjve kyçje në treg të punës e bizneseve punëtorë.
Kryetari i Sindikatës së Pavarur të Sektorit Privat, Jusuf Azemi paralajmëron një tronditje të madhe të mungesës së fuqisë punëtore, e cila sipas tij, do të fillojë të ndjehet qysh në pranverë.
Azemi për KosovaPress ka përmendur disa faktorë që ndikojnë në ikjen e fuqisë punëtore nga vendi.
“Në bazë të dhënave që i kemi, një tronditje e madhe e mungesës së fuqisë punëtore do të jetë në pranverë, pasi shumë punë, ambientet e jashtme janë ndërprerë dhe ata punëtorë janë bart dhe po punojnë në ambiente të brendshme ku krijohen kushtet.
Ndryshe, në momentin kur do të fillojë sezoni i pranverës do të shihet se vërtet atëherë do të jetë goditja më e madhe e Kosovës për mungesën e punëtorëve të sektorëve privat të Kosovës. Jo gjithherë është vetëm paga që përcakton qëndrimin ose ikjen nga Kosova, por është Ligji mbi sigurinë dhe shëndetin në punë dhe ligjet e tjera që kanë të bëjnë me punëtorët e sektorit privat të Kosovës”, thotë Azemi.