I dehur dhunon nënën dhe motrën, arrestohet 29-vjeçari në Prishtinë
Një tjetër rast i dhunës në familje ka tronditur kryeqytetin, ku një i ri në gjendje të dehur ka ushtruar dhunë fizike dhe verbale ndaj nënës dhe motrës së tij.
Sipas burimeve të Gazetës Sinjali, incidenti ka ndodhur më 1 qershor 2025, rreth orës 17:30, në rrugën “Hile Mosi” në Prishtinë, kur është raportuar rasti i “Dhunës në familje”.
Ankuesja me inicialet B. B. ka deklaruar se djali i saj, Bajram Brestovci, 29 vjeçar, kishte kërkuar çelësat e automjetit të bashkëshortit të saj. Kur ajo ka vërejtur se ai ishte në gjendje të dehur, ka hezituar t’ia japë çelësat, gjë që ka shkaktuar reagimin agresiv të tij.
I dyshuari fillimisht ka fyer nënën e tij dhe më pas e ka goditur me një papuçe në krahun e majtë. Më pas, ai ka sulmuar edhe motrën e tij, D.B., 33 vjeçare, duke e goditur në shpinë kur ajo ka tentuar të ndërhyjë në konflikt.
Në momentin e raportimit të rastit, i dyshuari nuk ndodhej në vendin e ngjarjes, ndërsa viktimat nuk kanë pranuar trajtim mjekësor.
Pas raportimit të incidentit dhe konsultimit me Prokurorin Kujdestar për Dhunë në Familje, është iniciuar menjëherë procedura penale dhe është lëshuar urdhër për arrestimin e Bajram Brestovcit.
Më datë 2 qershor, rreth orës 00:42, i dyshuari është arrestuar nga Policia, i është sekuestruar liria dhe është intervistuar në prani të avokatit mbrojtës. Prokurori ka lëshuar aktvendim për ndalim të tij për 48 orë.
Hetimet lidhur me këtë rast të dhunës në familje janë duke vazhduar nga njësitë përkatëse të Policisë së Kosovës dhe Prokuroria Themelore.