Hoti: Projekti i gazit është çështje strategjike, Kosova duhet të ruajë orientimin euroatlantik
Ish-kryeministri i Kosovës dhe anëtari i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Avdullah Hoti, ka reaguar lidhur me debatin për projektin e gazit, duke e cilësuar atë si një çështje që tejkalon aspektin e infrastrukturës dhe energjisë.
Foto: Ilustrim
Përmes një deklarate publike, Hoti ka thënë se ky projekt paraqet një provë për orientimin strategjik të Kosovës dhe raportet me Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
Ai ka kritikuar qëndrimin e qeverisë ndaj projektit, duke theksuar se heshtja në këtë situatë nuk duhet të jetë opsion dhe se qytetarët duhet të shprehin qëndrimin e tyre për ruajtjen e partneritetit me SHBA-në dhe vlerat euroatlantike.
“Çështja e projektit të gazit është shumë më e madhe dhe më serioze sesa po paraqitet sot. Kjo nuk është vetëm një çështje infrastrukture apo energjie, është një provë e qartë për orientimin strategjik të Kosovës dhe për raportin tonë me aleatin tonë historik, Shtetet e Bashkuara të Amerikës”, ka shkruar Hoti.
Ai ka shtuar se Kosova nuk duhet të largohet nga rruga e saj euroatlantike dhe ka bërë thirrje për reagim qytetar në mbështetje të këtij orientimi.
