Haxhiu: Çështja e Presidentit duhet të jetë hapi i parë, zgjedhjet opsioni i fundit
U.D. e Presidentes së Kosovës, Albulena Haxhiu, ka bërë thirrje për dialog politik mes subjekteve parlamentare, duke vlerësuar se çështja e zgjedhjes së Presidentit duhet të jetë pikënisja për tejkalimin e krizës institucionale.
Foto: Ilustrim
Haxhiu, përmes një shkrimi në Facebook, ka theksuar se tri procese të njëpasnjëshme zgjedhore me rezultate të përafërta dëshmojnë, sipas saj, se pa një marrëveshje politike nuk mund të ketë zgjidhje të qëndrueshme.
Ajo ka kujtuar zgjedhjet e shkurtit 2025, ato të 28 dhjetorit të po atij viti dhe zgjedhjet e 7 qershorit 2026, duke i cilësuar dy proceset e fundit si të panevojshme dhe të dëmshme për qytetarët dhe buxhetin e shtetit.
“Çështja e Presidentit, në rastin tonë, është hapi i parë nga duhet të nisemi”, ka shkruar Haxhiu, duke argumentuar se pa marrëveshje për Presidentin mund të hapet rruga drejt një procesi të ri zgjedhor, i cili, sipas saj, nuk do të sillte zgjidhje të re.
Haxhiu ka bërë të ditur se ka ftuar në takim krerët e të gjitha subjekteve politike parlamentare, me synimin për të arritur një konsensus politik.
Ajo ka shprehur keqardhje për refuzimin e ftesës nga PDK dhe AAK, duke e konsideruar këtë qëndrim si “veprim të gabuar” dhe mungesë vullneti për tejkalimin e dallimeve politike.
“Zgjedhjet do të duhej të ishin opsioni i fundit nëse jo fare opsion”, ka deklaruar Haxhiu.
U.D. e Presidentes ka shprehur shpresën që deri të martën të ketë reflektim nga subjektet politike dhe takimi i planifikuar të shërbejë për gjetjen e një zgjidhjeje për situatën institucionale.
