Haxhia nga Vushtrria që ndërroi jetë gjatë Haxhit, u varros në Mekë

01.06.2025

Një lajm i trishtë ka mbërritur nga vendet e shenjta islame, ku mijëra besimtarë nga Kosova po kryejnë ritualin e Haxhit.

Haxhi Avdi Jusufi nga Vushtrria ka ndërruar jetë gjatë qëndrimit të tij në Mekë.

Lajmi konfirmohet nga Bashkësia Islame e Kosovës (BIK), e cila ka njoftuar se i ndjeri Haxhi Avdi Jusufi është varrosur në Mekë, në prani të udhëheqësve të Haxhit nga Kryesia e BIK-ut.

“Të Allahut jemi dhe tek Ai do të kthehemi! Njoftojmë besimtarët dhe opinionin e gjerë se sot, më 1 qershor 2025, në mëngjes, në Meke, ka ndërruar jetë haxhi Avdi Jusufi nga Vushtrria, i cili këtë vit ishte në mesin e besimtarëve që udhëtuan drejt vendeve të shenjta për ta kryer haxhin. Me këtë rast, Myftiu i Kosovës, Naim ef. Tërnava, në emër të Bashkësisë Islame të Kosovës, shpreh ngushëllime për familjen e haxhiut, duke lutur të Madhin Zot që t’ia falë mëkatet dhe ta shpërblejë me Xhenetin Firdeus!” thuhet në njoftimin e BIK-ut.

BIK-u bëri të ditur gjithashtu se “Namazi i xhenazes është falur sot në Qabenë e bekuar me namaz të drekës, ndërsa varrimi i tij u bë në varrezat e Mekës, nën përcjellje edhe të udhëheqësve të haxhit të Kryesisë së Bashkësisë Islame të Kosovës. Zoti e mëshiroftë dhe e gradoftë me Xhenet, ndërsa familjes së rahmetliut i dhëntë sabër dhe gajret!”

Lajmi i ndarjes nga jeta të Haxhi Avdi Jusufit ka prekur komunitetin e Vushtrrisë dhe të gjithë besimtarët që janë nisur për këtë rrugëtim të shenjtë.