Haxhi Avdyli kritikon Qeverinë: Për 700 ditë s’u largua as “një filxhan dhe” në autostradën “Ibrahim Rugova”
Haxhi Avdyli, kandidat për deputet, në listën e LDK-së ka kritikuar ashpër qeverisjen aktuale duke ironizuar me sloganin “Espresso 51%” dhe mungesën e investimeve kapitale në vend.
Përmes një reagimi publik, Avdyli përmendi rrëshqitjen e dheut në autostradën Autostrada Ibrahim Rugova, duke thënë se është e papranueshme që një pjesë e saj të mbetet e bllokuar për një kohë të gjatë.
“Që ndodh 51.1 kubik rrëshqitje dheu dhe të mbyllen 51% të autostradës ‘Ibrahim Rugova’ gati për një mandat, kjo askund në botë nuk ka ndodh”, ka shkruar ai.
Sipas Avdylit, me ritëm normal pune problemi do të ishte zgjidhur shumë më herët, ndërsa shtoi se për vite të tëra nuk janë realizuar projekte të mëdha infrastrukturore.
Ai kritikoi edhe diskursin politik, duke thënë se zgjedhjet po fitohen me “poezi, llafe e espresso”, e jo me projekte konkrete dhe investime madhore.
Avdyli theksoi se çdo kritikë ndaj mungesës së investimeve kapitale po etiketohet si tradhti, duke e cilësuar këtë si shmangie nga debatet reale për zhvillimin e vendit.
