Haradinaj përsëri:Edhe VV pa “Guxo” dhe Alternativën s’do të kalonte pragun
Deputeti i AAK-së, Ramush Haradinaj, para fillimit të seancës konstituive të Kuvendit të Kosovës, ka shprehur shpresën për një reflektim nga Vetëvendosje (VV) në zgjidhjen e situatës së bllokadës politike.
Kemi dhënë një opsion për të dalë nga kjo gjendje, do të japim votën për kandidatë të VV-së, të cilët janë unifikues. Ne po vijmë me shpresë që na jep një zgjidhje VV-ja. Jemi në një situatë jo të mirë. Shpresoj që do të ketë reflektim nga VV-ja,” tha Haradinaj.
Ai komentoi gjithashtu deklaratat e kryeministrit në detyrë, Albin Kurti, i cili kishte thënë se AAK-ja nuk do ta kalonte pragun zgjedhor pa koalicionin me Nismën. Haradinaj kundërshtoi këtë pretendim, duke theksuar se edhe VV-ja nuk do të kishte arritur të kalonte pragun pa koalicionin me listën “Guxo” dhe Alternativën.
“Koalicionet janë për përfitime. As VV-ja pa listën ‘Guxo’ dhe Alternativën nuk e kish kalu pragun,” deklaroi Haradinaj.
Këto deklarata vijnë në një kohë kur Kuvendi i Kosovës po përballet me vështirësi të vazhdueshme në konstituimin e tij, duke krijuar një situatë të tensionuar politike në vend.