Grenell: Kosova dhe Serbia nënshkruan marrëveshjen për të punuar me njëra-tjetrën, jo me SHBA’në

Marrëveshja e nënshkruar në Zyrën Ovale të Shtëpisë së Bardhë është vetëm mes Kosovës dhe Serbisë, Amerika nuk është pjesë e saj. Qartësimi erdhi nga Richard Grenell, i emëruar i posaçëm i presidentit amerikan, Donald Trump për dialogun mes dy vendeve.

“Ata firmosën një marrëveshje për të punuar me njëri-tjetrin. Nuk e nënshkruan me Shtetet e Bashkuara të Amerikës”, tha Grenell, i dërguar i posaçëm i SHBA për dialogun.

Por çfarë firmosi Trump? “Ai nënshkroi një letër që vërteton se palët do të punojnë së bashku që ta bëjnë këtë marrëveshje”.

Grenell shtoi se dokumenti historik me 16 pika i dakordësuar nga Kosova dhe Serbia për normalizimin e raporteve ekonomike është arritur nga zyrtarët amerikanë në kontakt të ngushtë me ata të Bashkimit Europian. Kurse këshilltari për sigurinë kombëtare, Robert O’Brien, që mori pjesë në negociatat mes kryeministrit, Avdullah Hoti, dhe presidentit, Aleksandër Vuçiç, tha se marrëveshje i hap rrugën zgjidhjes politike.

“Ideja është që ndalimi një-vjeçar t’u japë palëve kohë për të negociuar disa nga çështjet politike që janë mes tyre. Ne do të mbështesim Europianët në këto bisedime politike. Ka shumë çështje të përfshira aty, qoftë anëtarësimi në BE apo njohja e ndërsjellat. Kështu që ka një numër çështjesh që kosovarët dhe serbët do të adresojnë.”, tha Robert O’Brien, këshilltar për sigurinë kombëtare në SHBA.

Ndërkohë, Grenell shtoi se marrëveshja e firmosur në Zyrën Ovale hap një derë mundësish për kompanitë Europiane dhe Amerikane për të investuar në sektorë të ndryshëm, përfshirë energjetikën, ujin, ndërtimin e rrugëve dhe hekurudhave si dhe në miniera. 

© SuharekaOnline. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.