Gjysma e të rinjve do të largoheshin nga Kosova nëse do t’u jepej mundësia
Emigrimi i të rinjve kosovarë është një fakt shqetësues për Kosovën, pasi që pjesa dërmuese e qytetarëve po t’u jepej mundësia do të largoheshin nga Kosova për një shtet tjetër për një të ardhme më të mirë. Pothuajse çdo vit kemi raste nëpër familjet e Kosovës, ku të rinjtë largohen nga vendi i tyre për […]
Emigrimi i të rinjve kosovarë është një fakt shqetësues për Kosovën, pasi që pjesa dërmuese e qytetarëve po t’u jepej mundësia do të largoheshin nga Kosova për një shtet tjetër për një të ardhme më të mirë.
Pothuajse çdo vit kemi raste nëpër familjet e Kosovës, ku të rinjtë largohen nga vendi i tyre për një vend tjetër.
Kjo gjetje është bërë e ditur në hulumtimin e organizatës Demokraci+ si dhe Fondacionit Westminister.
Sipas këtij hulumtimi thuhet se arsyet kryesore pse të rinjtë ikin nga Kosova janë pakënaqësitë e tyre në sistemin arsimor, ku vetëm 23 për qind (%) e tyre janë shprehur të kënaqur me shkollimin në vend.
Ndërsa motivi kryesore që edhe i ka shtyrë qytetarët e Kosovës drejt migrimit, e që 48% e tyre tashmë kanë migruar, ka qenë përmirësimi i standardit të jetës.
Gjatë prezantimit të këtij hulumtimi është bërë e ditur se vetëm në vitin 2015 rreth 74 mijë njerëz u patën larguar nga Kosova.
“Gjatё vitit 2015 deri nё vitin 2019, Kosova ka regjistruar bilanc negativ tё emigrimit, prej rreth 120 mijё njerёz.
Pra, nё vitin 2015 u patёn larguar rreth 74 mijё njerёz, pastaj nё vitin 2018 21 mijё dhe nё 2019 do tё thotё 29 mijё”, ka thënë Albana Rexha, analiste e lartë e politikave në Demokraci+.
Shtetet destinacion që kosovarët kanë emigruar është Gjermania me 31.8%, pastaj Zvicra me 27.9%, Italia me rreth 7.1% si dhe ShBA-të me 4.8%.
“Paraqiten shtetet tё cilat kanё qenё destinacion i kosovarёve tё cilёt kanё emigruar dhe mund tё shihet se Gjermania ёshtё deri nё 31.8%, si destinacion do tё thotё i shqiptarёve, pastaj ndiqet nga Zvicra me 27.9%, Italia me 7.1% dhe Shtetet e Bashkuara tё Amerikёs me 4.8%”, ka shtuar Rexha.
Derisa BE-ja është duke krijuar mure digjitale për parandalimin e hyrjeve ilegale, të rinjtë kosovarë, kryesisht ata të kualifikuar janë duke e synuar kalimin legal nëpërmjet kontratave me biznese në shtetet evropiane.
Po ashtu Rexha ka theksuar se kostoja totale e arsimit është nga 180 deri në 205 milionë euro humbje pasi që sipas saj për kokë banori ndahen nga 9.700 euro dhe kur kjo llogaritet me mesataren e emigrantëve në vit del humbja e kostos së arsimit në Kosovë e lartëcekur.
Deputeti nga rradhët e Lëvizjes Vetëvendosje – Ardian Gola theksoi se, për të ulur nivelin e emigrimit në Kosovë është e nevojshme forcimi i politikave të jashtme, duke i lidhur kështu aktivitetet e të rinjve brenda Kosovës me aktivitetet e diasporës, në mënyrë që kjo e fundit të jetë resurs shtesë për Kosovën.
Ndërsa, deputetja nga rradhët e Partisë Demokratike të Kosovës – Eliza Hoxha, ndër të tjera përmendi nevojën e fuqizimit të sektorit privat, në mënyrë që ky i fundit të jetë burim i punësimit për të rinjtë e Kosovës, ndërsa këshilltarja e Ministrit të Kulturës, Rinisë dhe Sportit – Dorotea Deshishku përmendi nevojën e angazhimit të të rinjve në trajnime shtesë dhe aktivitete që do t’u ndihmonte atyre në ngritjen e kapaciteteve që të kenë kështu më të lehtë qasjen në tregun e punës në Kosovë.
Ndryshe ky studim kishte për qëllim paraqitjen e vlerësimin rreth kostos dhe ndikimit financiar që ka largimi i një numri të lartë të personave çdo vit nga Kosova dhe, humbjet që shkaktohen nga ky fenomen. Hulumtimi përcakton sasinë e efekteve dhe implikimeve të emigrimit në ekonominë e përgjithshme të Kosovës si dhe humbjeve të prodhimit të brendshëm bruto (PBB), duke analizuar së afërmi se si harxhohen remitancat.