Gjykata e Apelit e kthen në rigjykim rastin “Veteranët”

26.04.2022

Lajmin e ka bërë të ditur Apeli, përmes një njoftimi drejtuar mediave. “Departamenti Special i Gjykatës së Apelit të Kosovës, pas shqyrtimit të të gjitha shkresave të lëndës dhe vlerësimit të pretendimeve ankimore, ka vendosur që ta aprovojë ankesën e Prokurorisë Speciale të Kosovës, ndërsa ta anulojë aktgjykimin e Gjykatës Themelore në Prishtinë, PKR.nr.230/2018, i datës […]

Gjykata e Apelit e kthen në rigjykim rastin “Veteranët” Foto: Ilustrim

Lajmin e ka bërë të ditur Apeli, përmes një njoftimi drejtuar mediave.

“Departamenti Special i Gjykatës së Apelit të Kosovës, pas shqyrtimit të të gjitha shkresave të lëndës dhe vlerësimit të pretendimeve ankimore, ka vendosur që ta aprovojë ankesën e Prokurorisë Speciale të Kosovës, ndërsa ta anulojë aktgjykimin e Gjykatës Themelore në Prishtinë, PKR.nr.230/2018, i datës 16 prill 2021 dhe kjo çështje penale do t’i kthehet në rigjykim dhe rivendosje të njejtës gjykatë.

Me aktgjykimin e lartcekur të Gjykatës Themelore në Prishtinë, të akuzuarit A.Ç., N.L., S.H., Sh.D., Q.G., Sh.B., A.D., Rr.B., F.F., S.E., F.Sh. dhe Xh.J. janë liruar nga akuza për shkak të veprës penale në bashkëkryerje “Keqpërdorimi i pozitës ose autoritetit zyrtar”, nga neni 422, paragrafi 1. lidhur me nenin 31 të KPRK-së”, thuhet në njoftim.

Ndryshe, të njëjtët ishin liruar nga akuza me aktgjykim të Gjykatës Themelore të Prishtinës.

AP_APS_20_2021_SQ

Sipas Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës (PSRK), të akuzuarit duke keqpërdorur detyrën e tyre zyrtare, për kohën sa ishin pjesë e Komisionit Qeveritar për Njohjen dhe Verifikimin e Statusit të Dëshmorit të Kombit, Invalidit, Veteranit, Pjesëtarit dhe të Internuarit të Luftës së UÇK-së, i kanë shkaktuar dëm buxhetit të Kosovës në vlerë prej 88.769.217.04 euro.

Për këto akuza, Gjykata Themelore në Prishtinë kishte marrë aktgjykim lirues më 19 janar 2021.

Aktgjykimi në këtë rast ishte përpiluar tre muaj më vonë, ku PSRK brenda 15 ditësh kishte pasur mundësi të ushtrojë ankesë ndaj këtij aktgjykimi.

Ndryshe, Gjykata Themelore në Prishtinë, më 19 qershor 2019, e kishte konfirmuar aktakuzën për këtë rast, ndërsa këtë vendim e kishte konfirmuar edhe Gjykata e Apelit në gusht të vitit 2019.

Me aktakuzën e PSRK-së, po ashtu ishte kërkuar që Gjykata Themelore në Prishtinë, të urdhërojë Ministria e Punës dhe Mirëqenies Sociale (MPMS), që të pezullonte pagesën e pensioneve për 19 mijë e 500 veteranë, deri në përfundimin e procesit gjyqësor.

Por, më 1 prill 2019, gjykata e kishte refuzuar këtë kërkesë me arsyetimin se propozimi për masën e përkohshme nuk është ndaj të akuzuarve, por ndaj MPMS-së, si palë e tretë.

Kurse pas seancave të mbajtura, Gjykata Themelore në Prishtinë, më 19 janar 2021, ka shpallur aktgjykim lirues ndaj të akuzuarve në këtë rast.

Sipas aktakuzës së përgatitur nga ish-prokurori special, Elez Blakaj, personat e përfshirë thuhet se prej vitit 2011 deri në vitin 2017, duke vepruar si anëtarë të Komisionit Qeveritar për Njohjen dhe Verifikimin e Statusit të Dëshmorit të Kombit, Invalidit, Veteranit, Pjesëtarit dhe të Internuarit të Luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, kanë shfrytëzuar detyrën dhe autoritetin zyrtar, duke tejkaluar kompetencat me dashje dhe duke mos i përmbushur detyrat zyrtare, me qëllim që të përfitojnë personat e tjerë në mënyrë të kundërligjshme, në vazhdimësi, në dëm të Buxhetit të Republikës së Kosovës.

Në këtë aktakuzë, janë përfshirë 12 persona, të cilët ngarkoheshin me veprën penale “keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar”.

PSRK-ja, po ashtu i kishte propozuar kësaj gjykate, që ta lëshonte masën për ndalimin e pagesës së pensioneve të fituara në mënyrë të kundërligjshme si veteranë luftëtarë të UÇK-së, deri në përfundimin e procedurës penale..

Tutje, sipas PSRK-së, nga provat e siguruara ishte vërtetuar se nga pagesat e kundërligjshme për veteranët luftëtarë të UÇK-së, buxheti i Republikës së Kosovës ishte dëmtuar në shumë prej 68.153.533.14 euro.

Ndërsa, me aktakuzën e dorëzuar në gjykatë më 7 dhjetor 2018, pretendohet se buxheti i Republikës së Kosovës ishte dëmtuar në shumë prej 88.769.217.04 euro, raporton betimipërdrejtësi.