Gjini në Suharekë premton lehtësira për fermerët: Toka që punohet nuk do të tatohet
Kandidati i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK) për kryeministër, Ardian Gjini, ka qëndruar sot në Suharekë, ku ka zhvilluar takime me fermerë, profesionistë dhe qytetarë të kësaj komune.
Foto: Ilustrim
Gjini tha se gjatë bashkëbisedimeve janë diskutuar problemet dhe sfidat me të cilat po përballen fermerët dhe sektori i bujqësisë, duke premtuar mbështetje më të madhe nga niveli qendror.
Ai theksoi se toka bujqësore që punohet nuk do të tatohet, ndërsa shtoi se fokusi i qeverisjes së tij do të jetë zhvillimi ekonomik dhe krijimi i kushteve më të favorshme për prodhuesit vendorë.
“Në ambient të hapur dhe me atmosferë pozitive na priti sot Suhareka e Bali Muharremaj, që gjithmonë ka ditur të rreshtohet pranë vlerave dhe punës”, deklaroi Gjini pas takimit.
Sipas tij, të gjitha takimet me qytetarët do të jenë në funksion të hartimit të politikave për zhvillim ekonomik dhe mbështetje të sektorëve prodhues në vend.
