Gjatë janarit 800 qytetarë të komunave me shumicë serbe aplikuan për pasaportë të Kosovës

01.02.2024

Vizat u hoqën më 1 janar për shtetasit e Kosovës, mirëpo jo edhe për qytetarët serbë që kanë pasaporta ilegale. Për të udhëtuar në Evropë, mbi 800 serbë kanë aplikuar për t’u pajisur me pasaportë të Kosovës.

Gjatë janarit 800 qytetarë të komunave me shumicë serbe aplikuan për pasaportë të Kosovës

Nga Ministria e Punëve të Brendshme kanë thënë se muajve të fundit kanë parë rritje të theksuar të aplikimeve. MPB thotë se kanë material të mjaftueshëm për të pajisur me pasaporta qytetarët që aplikojnë.

Nga 1 janari Kosovës i janë hequr vizat. Të gjithë qytetarët mund të udhëtojnë në shtetet e zonës Shëngen pa pasur nevojë që paraprakisht të pajisen me viza. Mirëpo një gjë e tillë ende nuk vlen për qytetarët serbë të Kosovës që kanë pasaporta të Administratës Koordinuese, të lëshuara nga Serbia.

LEXO EDHE:  Ftohen të gjithë qytetarët e Suharekës: Takim publik me kryetarin Muharremaj

Për të shfrytëzuar të drejtën e udhëtimit, interesim kanë edhe nga qytetarët serbë të katër komunave veriore.

Vetëm gjatë muajit janar, për t’u pajisur me pasaportë të Kosovës, kanë aplikuar 826 persona. Nga Ministria e Brendshme, kanë treguar se sa është numri për secilën komunë veçmas.

“Leposaviq 155; Zubin Potok: 125; Zveçan 112; Mitrovicë e Veriut 434”, thuhet në përgjigjen e MPB’së.

Ndërkaq deri më 31 dhjetor të vitit 2023, për pasaportë të Kosovës, kanë aplikuar 6 mijë e 310 qytetarë serbë.

Etiketat