Fuqizimi i ligjit dhe luftimi i krimit, Kosova arrin marrëveshje me Lihtenshtajnin, Zvicrën dhe Finlandën

19.07.2023

Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, ka njoftuar se është thelluar bashkëpunimi mes Kosovës dhe Principatës së Lihtenshtajnit, në krijimin e reciprocitetit në fushën e bashkëpunimit juridik ndërkombëtar në çështjet penale. Marrëveshje për bashkëpunim është arritur edhe me Republikën e Finlandës, përmes krijimit të reciprocitetit në fushën e ekstradimit. Ministrja Haxhiu, përmes një postimi në Facebook […]

Fuqizimi i ligjit dhe luftimi i krimit,  Kosova arrin marrëveshje me Lihtenshtajnin, Zvicrën dhe Finlandën Foto: Ilustrim

Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, ka njoftuar se është thelluar bashkëpunimi mes Kosovës dhe Principatës së Lihtenshtajnit, në krijimin e reciprocitetit në fushën e bashkëpunimit juridik ndërkombëtar në çështjet penale.

Marrëveshje për bashkëpunim është arritur edhe me Republikën e Finlandës, përmes krijimit të reciprocitetit në fushën e ekstradimit.

Ministrja Haxhiu, përmes një postimi në Facebook bëri të ditur gjithashtu se më 13 gusht do të hyjë në fuqi Traktati mbi Ndihmën e Ndërsjellë Juridike në Çështjet Penale ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Konfederatës Zvicerane, Traktat ky i nënshkruar më 5 prill të vitit të kaluar.

“Në Traktat parashihet krijimi i grupeve të përbashkëta hetimore, marrja e dëshmive, marrja e dëshmive përmes video-konferencës, shkëmbimi spontan i informatave, ngrirja, sekuestrimi dhe konfiskimi i të ardhurave nga krimi dhe instrumenteve të përdorura për kryerjen e krimit, si dhe ndarja e aseteve të konfiskuara” ka njoftuar Haxhiu.

Ky është njoftimi i plotë i ministres së Drejtësisë:

Në frymën e thellimit të miqësisë sonë me partnerët ndërkombëtarë, si dhe realizimin e objektivave për fuqizimin e sundimit të ligjit, si dhe luftimin e krimit transnacional, vetëm gjatë kësaj jave kemi arritur të thellojmë bashkëpunimin me Principatën e Lihtenshtajnit përmes krijimit të reciprocitetit në fushën e bashkëpunimit juridik ndërkombëtar në çështjet penale si dhe me Republikën e Finlandës përmes krijimit të reciprocitetit në fushën e ekstradimit.

Përveç tjerash, në datë 13 gusht 2023, do të hyjë në fuqi Traktati mbi Ndihmën e Ndërsjellë Juridike në Çështjet Penale ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Konfederatës Zvicerane, i nënshkruar më 5 prill 2022.

Me këtë Traktat është krijuar baza ligjore, janë harmonizuar procedurat dhe do të thellohet bashkëpunimi juridik në çështje penale në mes të Republikës së Kosovës dhe Konfederatës Zvicerane. Në Traktat parashihet krijimi i grupeve të përbashkëta hetimore, marrja e dëshmive, marrja e dëshmive përmes video-konferencës, shkëmbimi spontan i informatave, ngrirja, sekuestrimi dhe konfiskimi i të ardhurave nga krimi dhe instrumenteve të përdorura për kryerjen e krimit, si dhe ndarja e aseteve të konfiskuara.

Prandaj, me këtë dëshmohet se Republika jonë çdo ditë e më shumë po dëshmohet si shtet serioz, duke e avancuar pozicionin e saj në marrëdhënie ndërkombëtare.