FSK-ja institucioni më i besueshëm në Kosovë, me 87.4% mbështetje nga qytetarët

26.06.2026

Forca e Sigurisë së Kosovës (FSK) është vlerësuar sërish si institucioni më i besueshëm i sigurisë në vend, sipas rezultateve të Anketës Rajonale WeBalkans 2026.

Sipas kësaj ankete, FSK-ja gëzon besimin e 87.4 për qind të qytetarëve të anketuar, duke u renditur në krye të institucioneve të sigurisë në Republikën e Kosovës.

Komandanti i FSK-së, gjenerallejtënant Bashkim Jashari, ka falënderuar qytetarët për besimin e vazhdueshëm, ndërsa ka vlerësuar angazhimin dhe profesionalizmin e pjesëtarëve të Forcës së Sigurisë së Kosovës.

Sipas FSK-së, ky vlerësim është rezultat i përkushtimit, disiplinës dhe punës së vazhdueshme të personelit në përmbushjen e misionit dhe përgjegjësive të tyre.

FSK ka theksuar se do të vazhdojë zhvillimin e kapaciteteve profesionale dhe operacionale, duke mbetur e përkushtuar në shërbim të qytetarëve dhe sigurisë së vendit.