FSK-ja forcon bashkëpunimin me Ushtrinë Shqiptare, vizitë zyrtare në Komandën Mbështetëse të FARSH
Një delegacion i Gardës Kombëtare dhe Komandës së Logjistikës së Forcës së Sigurisë së Kosovës (FSK), i kryesuar nga zëvendëskomandanti i Komandës së Logjistikës, kolonel Valdet Berisha, ka zhvilluar një vizitë zyrtare në Komandën Mbështetëse të Forcave të Armatosura të Republikës së Shqipërisë (FARSH).
Foto: Ilustrim
Delegacioni kosovar u prit nga komandanti i Komandës Mbështetëse, gjeneral brigade Aleksandër Pando, dhe stafi i tij, me të cilët zhvilloi takime profesionale të përqendruara në fushën e logjistikës, trajnimeve dhe menaxhimit të emergjencave civile.
Gjatë vizitës, përfaqësuesit e FSK-së u njohën nga afër me misionin, strukturën organizative dhe kapacitetet e Komandës Mbështetëse, si dhe vizituan kapacitetet logjistike dhe ato të emergjencave civile. Ata u informuan mbi organizimin, pajisjet dhe procedurat që përdoren në mbështetje të operacioneve ushtarake dhe situatave emergjente.
Takimet u karakterizuan nga shkëmbimi i përvojave profesionale dhe diskutimet për zgjerimin e bashkëpunimit në fushat me interes të përbashkët, me theks të veçantë në logjistikë, emergjenca civile, trajnimet dhe ngritjen e kapaciteteve operacionale.
Sipas FSK-së, vizita u zhvillua në frymën e partneritetit dhe besimit të ndërsjellë, duke kontribuar në rritjen e ndërveprueshmërisë dhe forcimin e mëtejshëm të marrëdhënieve ndërmjet forcave të sigurisë së Kosovës dhe Shqipërisë.
