Fluturimi Shtutgart-Prishtinë devijohet në Shkup për shkak të mjegullës në Kosovë

01.01.2025

Një aeroplan i kompanisë zvicerane CHAIR që po udhëtonte nga Shtutgarti për në Prishtinë me numër fluturimi GM2621 ka devijuar rrugën dhe është ulur në aeroportin e Shkupit.

Sipas raportimeve të para, arsyeja kryesore e devijimit ishte mjegulla e dendur që ka përfshirë vendin tonë gjatë ditës së sotme.

Fluturimi ishte nisur nga aeroporti i Shtutgartit në orën 17:30, me destinacion Aeroportin Ndërkombëtar të Prishtinës “Adem Jashari”. Sidoqoftë, për shkak të kushteve të vështira atmosferike, aeroplani ka ndryshuar destinacionin dhe është ulur në Aeroportin Ndërkombëtar të Shkupit rreth orës 19:40.

Mjegulla paraqet një sfidë të madhe për operacionet e aviacionit, duke ndikuar në dukshmërinë e nevojshme për ulje dhe ngritje të sigurt të aeroplanëve. Kjo ka qenë arsyeja kryesore që ky fluturim nuk ka arritur të realizojë uljen në Prishtinë sipas planit.

Deri më tani, as Aeroporti Ndërkombëtar i Prishtinës “Adem Jashari” dhe as Autoriteti i Aviacionit Civil i Kosovës nuk kanë dalë me ndonjë deklaratë zyrtare lidhur me këtë rast. Gjithashtu, edhe kompania zvicerane nuk ka bërë ende të ditura detaje shtesë në lidhje me fluturimin GM2621.

Do të vazhdojmë të raportojmë për çdo zhvillim të ri lidhur me këtë situatë.