Fati i heqjes së masave ndaj Kosovës në konkluzionet e raportit të Borrellit, thotë BE-ja

22.04.2024

Në qershor të vitit të kaluar, Kosovës iu shtua edhe një barrierë ekonomike në mesin e sfidave të shumta si pasojë e krizave globale që targetojnë lehtësisht një ekonomi të euroizuar, me pak prodhim dhe me shumë importe si ajo e Kosovës.

Fati i heqjes së masave ndaj Kosovës në konkluzionet e raportit të Borrellit, thotë BE-ja Foto: Ilustrim

Bëhet fjalë për masat e Bashkimit Evropian të cilat i janë shqiptuar Kosovës si ndëshkim pas shpërfilljes së deklaratës së 3 qershorit, e cila kërkonte që Qeveria e Kosovës të ndërmerrte një sërë veprimesh për të parandaluar deeskalimin e mëtejshëm në veri të vendit.

Ndonëse po mbushen gati një vit nga masat, BE-ja ende nuk ka qartësuar nëse masat do të ketë largim të masave.

Në këtë kontekst, BE-ja i tha Nacionales se vendimi për mundësinë e heqjes së masave ndaj Kosovës mbetet në fatin e konkluzioneve të kryediplomatit të Bashkimit Evropian, Joseph Borrell, varësisht nga përmbushja e kërkesave të Unionit.

Pas referendumit të djeshëm në veri, i cili pritej të përcaktonte fatin e kryetarëve shqiptarë të zgjedhur me legjitimitet minimal, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, bëri thirrje për heqjen e masave me argumentin se qeveria e Kosovës ka përmbushur “kriterin kyç”; “mundësimin e shkarkimit të kryetarëve aktual dhe mbajtja e zgjedhjeve”.

“Mundësimi i shkarkimit të kryetarëve aktual dhe mbajtja e zgjedhjeve për shkarkim ishin kriter kyç për largimin e masave ndaj Kosovës nga ana e Bashkimit Evropian. Këto masa të padrejta, pas votimit të sotëm, duhet larguar sa më parë”, tha Kurti ndër të tjera.

Në përgjigje ndaj thirrjeve të Kurtit dhe zyrtarëve të tjerë të qeverisë, BE-ja, në një përgjigje për Nacionalen, tha se kjo gjë vendoset në bazë të raportit të Përfaqësuesit të Lartë të BE-së, Josep Borrell, kur ky i fundit ta bëjë atë.

“Sa i përket masave, në përputhje me Konkluzionet e tij të 12 dhjetorit 2023, Këshilli do të diskutojë masat e BE-së në bazë të një raporti të Përfaqësuesit të Lartë mbi përmbushjen e kërkesave të BE-së”, ka thënë Stano.

Më tej, BE-ja ka shprehur keqardhje që serbet s’e shfrytëzuan mundësinë për të ushtruar të drejtën e votës. BE theksoi po ashtu se rezultati “nuk kontribuon në zbutjen e tensioneve”.

“BE-ja shpreh keqardhjen që serbët e Kosovës në veri të Kosovës humbën mundësinë për të ushtruar të drejtën e tyre për të votuar dhe për të zgjedhur kryetarë komunash që do të ishin vërtet përfaqësues. Rezultati nuk kontribuon në zbutjen e tensioneve dhe hapjen e rrugës për kthimin e serbëve në institucionet e Kosovës, gjë që është thelbësore për normalizimin e marrëdhënieve”, thuhet më tej në përgjigjen e BE-së.

Thirrje për heqjen e masave të BE-se ndaj Kosovës pati edhe nga ministri i Ministrisë së Administrimit të Pushtetit Lokal, Elbert Krasniqi. Sipas tij, qeveria e Kosovës “ka siguruar infrastrukturën dhe mundësinë që qytetarët të shprehin vullnetin e tyre demokratik”.

“Ne siguruam infrastrukturën dhe mundësinë që qytetarët të shprehin vullnetin e tyre demokratik. Lista Serbe dhe Beogradi, nga ana tjetër, urdhëruan edhe një herë bojkotimin e procesit të votimit në 4 komunat veriore – pavarësisht thirrjeve që të mos bëhet një gjë e tillë nga komuniteti ndërkombëtar”, tha ai.

“Ka ardhur koha, tani më shumë se kurrë që BE-ja të heqë masat e padrejta ndaj Kosovës. Kosova ka përmbushur pjesën e saj të marrëveshjes së Bratislavës”, deklaroi ai.