Fandaj: 50 ditë pa kabinet në Suharekë

28.01.2026

Kanë kaluar 50 ditë nga betimi i kryetarit të Komunës së Suharekës, më 9 dhjetor 2025, ndërsa komuna vazhdon të mbetet pa nënkryetar dhe pa kabinet qeverisës, në kundërshtim me obligimet ligjore që parashohin emërimet brenda 30 ditëve.

Këtë shqetësim e ka ngritur Liridon Fandaj përmes një postimi në Facebook, ku ai akuzon kryetarin Bali Muharremaj për keqmenaxhim, paaftësi dhe mungesë përgjegjësie politike. Sipas tij, vonesat nuk janë më çështje teknike, por tregues i një qasjeje të papërgjegjshme ndaj qeverisjes lokale.

Fandaj thekson se më 30 janar 2026 buxheti komunal pritet të sillet për votim pa pasur ende një kabinet funksional, pa drejtorë dhe pa strukturë të qartë përgjegjësie politike, çka sipas tij e dëmton seriozisht transparencën dhe funksionimin institucional.

“Nuk është vonesë teknike, është paaftësi dhe papërgjegjësi”, shkruan Fandaj, duke shtuar se qytetarët e Suharekës meritojnë qeverisje serioze dhe jo improvizime apo pazare politike.