Falja e të burgosurve, nga 105 kërkesa një pret faljen dhe 16 po shqyrtohen nga presidentja Osmani

07.01.2025

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, është në qendër të kritikave të ashpra për mosfaljen e asnjë të burgosuri gjatë katër viteve të mandatit të saj.

Pavarësisht një numri të konsiderueshëm prej 105 kërkesash për falje vetëm gjatë vitit 2024, presidentja nuk ka ushtruar të drejtën e saj kushtetuese për të falur të dënuarit.

Ekspertët: Shkelje e të drejtave të njeriut dhe praktika demokratike

Përfaqësues të drejtësisë dhe organizatave për mbrojtjen e të drejtave të njeriut e konsiderojnë këtë veprim si një shkelje të të drejtave të njeriut dhe një devijim nga praktikat demokratike. Avokati Xhevdet Smakiqi shkon më tej duke e cilësuar si një keqpërdorim të diskrecionit presidencial.

“Është e çuditshme në një shtet demokratik siç pretendon dhe është Kosova me Kushtetutën e saj dhe ne duhet të zbatojmë praktikat më të mira të shteteve demokratike perëndimore. Ju e keni parë që edhe Joe Biden dhe plot shtete ku presidentët në fund të vitit, apo për ndonjë festë kombëtare zakonisht e përdorin institutin e drejtës penale që është falja,” tha Smakiqi për EkonomiaOnline.

KMDLNj: Situatë e paprecedentë, si në regjime diktatoriale

Behxhet Shala, drejtor i Këshillit për Mbrojtjen e të Drejtave dhe Lirive të Njeriut (KMDLNj), e cilësoi këtë situatë si të paprecedentë, duke e krahasuar me sisteme diktatoriale. Shala theksoi se mungesa e faljeve mund të ndikojë negativisht në motivimin e të burgosurve dhe ka pasur gjithashtu shqetësime se ky veprim do të ketë pasoja për reputacionin e vendit.

“Nuk ka ndodh në historinë jo vetëm të Kosovës por edhe në shtet diktatoriale fashiste që nuk ka pasur falje,” tha Shala.

Presidenca: Po shqyrtohet një rast

Nga Presidenca, thonë se deri më tani janë shqyrtuar tetëdhjetë e nëntë kërkesa për falje të personave të dënuar, ndërsa gjashtëmbëdhjetë prej tyre janë në pritje të shqyrtimit nga Komisioni. Këtë vit Komisioni për Falje ka rekomanduar për falje një të dënuar, dhe ky rekomandim është në procedurë të shqyrtimit nga Presidenca.