Enver Hoxhaj kërkon shtyrjen e Konventës së PDK-së: Kjo nguti nuk garanton garë cilësore
Enver Hoxhaj i PDK-së, ka reaguar ashpër ndaj afatit të shkurtër të përcaktuar për mbajtjen e Konventës së PDK-së, duke kërkuar zyrtarisht shtyrjen e saj.
Sipas tij, një proces kaq i rëndësishëm për të ardhmen e partisë nuk mund të zhvillohet me ngut dhe pa përgatitjen e duhur.
Në një deklaratë publike, Hoxhaj theksoi se PDK-ja si një parti serioze nuk mund të organizojë një konventë politike dhe përmbajtësore në një kohë kaq të shkurtër, duke u bërë thirrje organeve drejtuese që ta shtyjnë mbajtjen e Konventës të paktën deri të dielën e ardhshme.
Sipas tij, një shtyrje e tillë do u jepte kohë anëtarëve dhe delegatëve të njihen me kandidaturat dhe platformat që synojnë zhvillimin e partisë dhe adresimin e çështjeve kryesore për vendin.
Kjo nguti nuk garanton garë cilësore
Hoxha shprehu shqetësimin se procesi aktual nuk ofron hapësirë të mjaftueshme për garë të drejtë, reformim dhe unitet brenda partisë. Ai theksoi se zhvillimet e fundit kanë qenë të befasishme dhe se cilësia e garës rrezikohet seriozisht nëse procesi nuk hapet dhe nuk menaxhohet me kohë të mjaftueshme.
Sipas tij, më shumë se një kandidaturë është mundësi për delegatët që të zgjedhin lirisht, ndërsa konkurrenca ndërmjet platformave ndihmon në përmirësimin e vizioneve politike që PDK-ja ka nevojë t’i ndërtojë.
Jam kundër çdo imponimi
Hoxhaj kritikoi edhe mënyrën se si është menaxhuar situata pas dorëheqjes së kryetarit të partisë, duke thënë se mënyra e prezantimit të preferencave për pasuesin mund të krijojë përshtypjen e skemave të parapërgatitura dhe të paragjykuara, që sipas tij nuk e çojnë partinë përpara.
“Jam qartësisht kundër çdo imponimi, kundër orientimit të garës dhe kundër çdo formule që shpërfill bazën dhe delegatët,” u shpreh ai.
PDK ka nevojë për drejtim të ri
Duke e përmbyllur reagimin e tij, Enver Hoxhaj u bëri thirrje strukturave të PDK-së që të reflektojnë dhe të hapin rrugën për ndryshimin e vërtetë.
“PDK-ja ka nevojë për drejtim të ri, jo për skema të vjetra; për vizion të ri, jo për ndërrim rolesh. Ky është momenti për të hapur rrugën e ndryshimit të vërtetë,” tha ai.
Hoxhaj pret që Kryesia të marrë vendimin për shtyrjen e procesit, duke u siguruar që baza e partisë të ketë hapësirën dhe kohën e nevojshme për të shprehur vullnetin e saj pa presion dhe pa imponime.