Emisari i ri evropian për dialog, Peter Sorensen, viziton Kosovën, anulon vizitën në Serbi

14.03.2025

Emisari evropian për dialog, Peter Sorensen, do të vizitojë Kosovën javën e ardhshme, sipas burimeve diplomatike në Bruksel.

Kjo do të jetë vizita e tij e parë në cilësinë e përfaqësuesit të veçantë të Bashkimit Evropian për dialog, që kur ai mori detyrën më 1 shkurt, duke trashëguar Miroslav Lajçakun.

Vizita do të zhvillohet mes 17 dhe 19 marsit. Fillimisht, ishte planifikuar që Sorensen të vizitonte po ashtu edhe Serbinë gjatë të njëjtës javë, por udhëtimi në Beograd është anuluar dhe shtyrë për një moment tjetër.

Ende nuk ka një konfirmim zyrtar nëse anulimi i vizitës në Beograd lidhet me situatën aktuale në Serbi dhe protestat që po zhvillohen në këtë vend.

Sipas zyrtarëve evropianë, takimet eventuale në kuadër të dialogut, Sorensen do t’i zhvillojë vetëm pasi të ketë kryer vizitat, si në Kosovë, ashtu edhe në Serbi.

Një nga temat kryesore që pritet të trajtojë Sorensen në takimet e tij është çështja e personave të zhdukur. Kryenegociatorët e Kosovës dhe Serbisë u dakorduan në dhjetor për zbatimin e deklaratës së të zhdukurve, e cila ishte miratuar në nivel liderësh në maj të vitit 2023.

Takimi i parë i Komisionit të Përbashkët të Kosovës dhe Serbisë për të pagjeturit, i organizuar më 15 janar, dështoi pasi pala serbe refuzoi të marrë pjesë.