Ekspertët paralajmërojnë: Serbia dhe Rusia po synojnë të ndikojnë në zgjedhjet e 7 qershorit
Ekspertët e luftës hibride dhe luftimit të dezinformatave kanë ngritur shqetësime për ndërhyrje të vazhdueshme nga Serbia dhe Rusia në procesin zgjedhor të 7 qershorit në Kosovë.
Sipas tyre, komuniteti serb në Kosovë po përballet me propagandë, kërcënime, shantazhe dhe tentativa për manipulim të votës përmes narrativave të koordinuara politike dhe mediatike.
Hulumtuesit vlerësojnë se ndikimi realizohet kryesisht përmes mediave, rrjeteve sociale dhe fushatave të dezinformimit, të cilat synojnë të ndikojnë në orientimin politik të votuesve.
Po ashtu, është paralajmëruar për përdorimin e inteligjencës artificiale dhe profileve të rreme në internet për shpërndarjen dhe amplifikimin e lajmeve të rreme gjatë fushatës zgjedhore.
Ata u kanë bërë thirrje institucioneve dhe qytetarëve që të tregojnë kujdes ndaj informacionit të pakonfirmuar dhe të mbështeten vetëm në burime të besueshme gjatë periudhës zgjedhore.
