Edhe përpjekja e 22-të dështon, Kuvendi i Kosovës nuk konstituohet
As tentimi i 22-të nuk ka rezultuar i suksesshëm në përpjekjen për konstituimin e legjislaturës së nëntë të Kuvendit të Kosovës, duke vazhduar kështu bllokadën politike.
Në seancën e sotme, votimi për formimin e komisionit për votim të fshehtë, i cili është një hap i nevojshëm për zgjedhjen e kryeparlamentarit, mori vetëm 54 vota pro. Një deputet votoi kundër, ndërsa nuk pati asnjë abstenim. Ky rezultat nuk ishte i mjaftueshëm për të miratuar formimin e komisionit.
Pas dështimit edhe të kësaj përpjekjeje, është njoftuar se seanca e ardhshme për të provuar sërish konstituimin e Kuvendit do të mbahet të enjten, me fillim nga ora 11:00.
Kjo vazhdon serinë e dështimeve për të krijuar institucionet e reja pas zgjedhjeve, duke lënë vendin në një situatë politike të paqartë. Mbetet të shihet nëse tentativa e radhës do të jetë më e suksesshme.