E-Kosova lanson shërbim të ri: Mbështetje financiare për ndërmarrjet e TIK-ut

17.06.2025

Platforma e-Kosova ka lansuar një shërbim të ri, i cili ofron mbështetje financiare për ndërmarrjet mikro, të vogla dhe të mesme (NMVM) në sektorin e Teknologjisë së Informacionit dhe Komunikimit (TIK).

Ky shërbim, i titulluar “Thirrje publike për përkrahjen financiare të NMVM në sektorin e Teknologjisë së Informacionit dhe Komunikimit”, synon të nxisë zhvillimin e këtij sektori vital në Kosovë.

Përmes një postimi në Facebook, e-Kosova ka shpjeguar hapat që duhet ndjekur për të aplikuar:

  1. Identifikohuni në Platformën e-Kosova.
  2. Klikoni mbi “Shërbime”.
  3. Klikoni mbi “Grante dhe subvencione”.
  4. Klikoni mbi “Thirrje publike për përkrahjen financiare të NMVM në sektorin e Teknologjisë së Informacionit dhe Komunikimit”.

E-Kosova gjithashtu thekson rëndësinë e informimit shtesë. “Vëmendje: Për informata shtesë, ju lutemi të informoheni në ueb faqen zyrtare të KIESA. Platforma e shërbimeve elektronike Kosova”, thuhet në njoftim.

Ky shërbim i ri pritet të lehtësojë qasjen në fonde për bizneset e reja dhe ato ekzistuese në sektorin e TIK-ut, duke kontribuar në inovacionin dhe krijimin e vendeve të punës.