Tragjedi në Gjakovë: Dy punëtorë humbin jetën gjatë një incidenti të rëndë në vendin e punës
Një ngjarje e rëndë ka ndodhur mëngjesin e sotëm në Gjakovë, ku dy persona kanë humbur jetën si pasojë e një incidenti në vendin e punës.
Foto: Ilustrim
Policia e Kosovës ka njoftuar se rreth orës 08:15 kanë marrë informacion për një incident të rëndë që ka ndodhur në rrugën “Bardhyl Qaushi” në Gjakovë, ku dy meshkuj të moshës madhore kanë pësuar lëndime të rënda.
Zëdhënësi i Policisë për rajonin e Gjakovës, Sheremet Elezaj, ka konfirmuar se viktimat janë dërguar menjëherë për trajtim mjekësor në Spitalin Rajonal të Gjakovës. Megjithatë, përkundër përpjekjeve të stafit mjekësor, të dy personat kanë ndërruar jetë si pasojë e plagëve të marra.
“Përkundër përpjekjeve të stafit mjekësor, më pas është konfirmuar se të dy personat kanë ndërruar jetë si pasojë e plagëve të marra”, ka deklaruar Elezaj.
Policia ka dalë menjëherë në vendin e ngjarjes dhe njësitet relevante kanë nisur hetimet për të sqaruar rrethanat e sakta të këtij rasti tragjik.
Rasti është cilësuar si “Hetim i vdekjes” dhe pritet që gjatë ditës të jepen më shumë detaje nga autoritetet hetimore.