Dy persona arrestohen në Fushë Kosovë dhe Malishevë për nxitje të urrejtjes dhe propagandë terroriste online
Policia e Kosovës ka arrestuar sot dy persona në dy operacione të ndara në Fushë Kosovë dhe Malishevë.
Arrestimet janë kryer nga Drejtoria Kundër Terrorizmit, në koordinim me Prokurorinë Speciale, nën dyshimet për “nxitje të përçarjes dhe mosdurimit dhe shpërndarje të propagandës dhe ideologjisë për organizata terroriste, duke përdorur rrjetet sociale”.
Sipas njoftimit të Policisë, pas një pune operative-hetimore, në orët e hershme të mëngjesit janë realizuar tre kontrolle të vendbanimeve në Fushë Kosovë dhe Malishevë. Këto kontrolle rezultuan me arrestimin e dy personave të dyshuar për përfshirje në veprat e lartpërmendura.
“Operacioni policor ka përfshirë dy (2) raste të ndara, që kanë rezultuar me tri (3) kontrolle të vendbanimeve në Fushë Kosovë dhe Malishëvë, si dhe dy (2) arrestime të personave të dyshuar, mbi dyshimin e bazuar për përfshirje në ‘nxitja e përçarjes dhe mosdurimit’ dhe shpërndarje e propagandës dhe ideologjisë për organizata terroriste, duke përdorur rrjetet sociale,” thuhet në njoftimin e Policisë.
Policia njofton se të gjitha veprimet e mëtejme do të ndërmerren në bashkëpunim dhe koordinim me organet e drejtësisë.