Dua Lipa bëhet shtetase e Republikës së Kosovës me dekret presidencial
Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, ka nderuar sot këngëtaren me famë botërore, Dua Lipa, me shtetësinë kosovare, duke e cilësuar këtë si një nder të veçantë për vendin. Përmes një postimi në rrjete sociale, Presidentja Osmani ka bërë të ditur se dekretimi është bërë sot, duke theksuar rëndësinë që artistja shqiptare ka pasur […]
Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, ka nderuar sot këngëtaren me famë botërore, Dua Lipa, me shtetësinë kosovare, duke e cilësuar këtë si një nder të veçantë për vendin.
Përmes një postimi në rrjete sociale, Presidentja Osmani ka bërë të ditur se dekretimi është bërë sot, duke theksuar rëndësinë që artistja shqiptare ka pasur për imazhin e Kosovës në botë.
“Mirë se erdhe në shtëpi, Dua! Nder i veçantë që sot, me dekret presidencial, t’ia jap shtetësinë e Republikës së Kosovës, Dua Lipës, një prej personaliteteve më të rëndësishme kulturore dhe artistike në historinë e vendit tonë”, shkroi Osmani.
Ajo vlerësoi se lidhja mes Duas dhe Kosovës ka qenë gjithmonë e fortë, ndërsa e cilësoi këngëtaren si një zë të fuqishëm në skenat më të mëdha të botës, që vazhdimisht ka përfaqësuar vendin me krenari.
“Ajo ka qenë dhe vazhdon të jetë një nga zërat më të fuqishëm në skenat më të mëdha të botës, duke bërë histori me të arriturat e saj dhe duke u shndërruar në inspirim për miliona njerëz anekënd globit”, thuhet në mesazhin e Presidentes.
Presidentja Osmani shprehu mirënjohje të thellë për kontributin që Dua Lipa ka dhënë për Kosovën, rininë, artin dhe përfaqësimin ndërkombëtar të vendit.
“Dua, Kosova është gjithmonë krenare me ty!”, përfundon reagimi i saj.
Dua Lipa, e lindur në Londër nga prindër kosovarë, është një prej yjeve më të mëdha të muzikës pop në botë, fituese e shumë çmimeve ndërkombëtare dhe bashkëthemeluese e festivalit “Sunny Hill”, që prej vitesh mbahet në Prishtinë.