Drita Hajdari: Koha po kanos adresimin e krimeve të luftës, mungesa e bashkëpunimit me Serbinë sfidë e madhe
Ish-prokurorja speciale, Drita Hajdari, ka ngritur alarmin për vështirësitë e mëdha me të cilat po përballet drejtësia në Kosovë në adresimin e krimeve të luftës, 26 vjet pas përfundimit të konfliktit.
Sipas saj, faktori kohë po shndërrohet në një armik të drejtpërdrejtë, duke rrezikuar humbjen e dëshmive kyçe dhe duke vështirësuar hetimet.
Në një intervistë ekskluzive për KosovaPress, Hajdari shprehu shqetësimin e saj për mungesën e bashkëpunimit juridik me Serbinë, ku gjenden shumica e të dyshuarve për krime lufte. Ajo theksoi se këtë çështje e ka ngritur edhe në një konferencë në Beograd, duke e konsideruar fshehjen e kryerësve të krimeve si mohim të vetë krimeve dhe mospranim të viktimave.
“Një problem shumë i madh që i kanoset këtyre krimeve është pikërisht koha, sepse po na vdesin dëshmitarë ose janë tash në moshë dhe natyrisht mosha po e bën të vetën, koha po e bënë të vetën dhe po ballafaqohemi edhe me fenomenin e harresës kur dëshmojmë për krime të cilat procedohen. Problem të veçantë paraqet mungesa e bashkëpunimit juridik me Serbinë në të cilën gjenden shumica e kriminelëve të luftës dhe këtë gjë e kam potencuar pikërisht në konferencën e Beogradit,” theksoi Hajdari.
Ajo shprehu zhgënjimin me institucionet vendore, duke deklaruar se pas pensionimit nuk i është ofruar mundësia për të kontribuar në këtë fushë, pavarësisht ekspertizës së saj të gjatë në hetimin e krimeve të luftës.
“Pasi që jam pensionuar unë kam pritur që dikush në Kosovë do të shfrytëzojë ekspertizën si prokurore shumë-vjeçare, sidomos në fushën e krimeve të luftës. Kam pritur që Akademia e Drejtësisë, organizatat jo-qeveritare të cilat merren me këtë fushë do të më ftojnë dhe do të shfrytëzojnë këtë ekspertizë,” u shpreh ajo.
Hajdari theksoi se Prokuroria Speciale po përballet me sfida të mëdha në hetimin e rasteve të mbetura, duke përfshirë rreth 900 lëndë të pa përfunduara dhe 2000 dosje për persona të zhdukur. Ajo shpjegoi se ngritja e aktakuzave ishte e vështirë për shkak të mungesës së bashkëpunimit me Serbinë dhe pamundësisë për të marrë në pyetje të pandehurit.
Megjithatë, ajo vlerësoi ndryshimet e Kodit të Procedurës Penale në vitin 2022, që lejojnë ngritjen e aktakuzave në mungesë, si një hap të domosdoshëm përpara.
Në fund të vitit 2024, Hajdari mori pjesë në një konferencë rajonale në Beograd, ku u diskutua për procedimin e krimeve të luftës. Ajo tregoi se ishte e vetëdijshme për rrezikun që i kanosej, por vendosi të marrë pjesë për të përfaqësuar Kosovën.
“Isha plotësisht e vetëdijshme për rrezikun që i nënshtrohem sepse unë kam pasur shumë raste të ndjeshme ku janë akuzuar qytetarë serbë, të cilët janë nën hetim dhe që e dinë që unë jam ajo që po i procedon këto raste,” tha Hajdari.
Gjatë viteve 1998-1999, mbi 13 mijë civilë u vranë nga forcat serbe, mbi 6 mijë u zhdukën dhe mbi 20 mijë gra e burra u dhunuan seksualisht. 1600 persona vazhdojnë të jenë të pagjetur.