Nis projekti “Kujtesa e masakrave në Kosovë” – Mbi 1000 rrëfime për të ruajtur të vërtetën e luftës
Në Kosovë ka nisur zyrtarisht projekti trevjeçar “Kujtesa e masakrave në Kosovë”, një nismë e rëndësishme për dokumentimin e krimeve të luftës dhe ruajtjen e kujtesës kolektive.
Qëllimi i projektit është të mbledhë dhe arkivojë rrëfimet e mbi 1000 të mbijetuarve dhe dëshmitarëve nga dhjetë prej masakrave më të rënda të viteve 1998–1999, gjatë luftës në Kosovë.
Ky projekt do të krijojë një arkivë publike audio, ku do të ruhen dëshmitë autentike të njerëzve që përjetuan dhunën dhe terrorin e ushtruar nga regjimi serb ndaj popullatës shqiptare. Rrëfime që nuk guxojnë të harrohen dhe zëra që duhet të dëgjohen, dokumentohen dhe përçohen brez pas brezi.
Projekti po realizohet nga Instituti për Krimet e Kryera gjatë Luftës, në bashkëpunim me Institutin e Antropologjisë të Universitetit të Prishtinës, Bibliotekën Kombëtare dhe Muzeun Kombëtar të Kosovës, me mbështetjen e Ministrisë së Kulturës, Rinisë dhe Sportit.
“Dokumentimi dhe ekspozimi i krimeve të kryera nga regjimi serb është një obligim moral dhe kombëtar”, ka shkruar Kurti në Facebook. Kjo iniciativë synon të ndihmojë jo vetëm në ruajtjen e së vërtetës historike, por edhe në kërkimin e drejtësisë dhe ndërtimin e një paqeje të qëndrueshme.