Drejtorët e DKA-ve të gatshëm për çfarëdo vendimi rreth skenarëve të MAShTI-t, që mësimi të jetë sa më mirë i organizuar

27.01.2022

Asociacioni i Komunave të Kosovës mbajti takimin e parë të Kolegjiumit për Arsim në kuadër të shtrirjes së strukturave të saja në përfaqësimin e përbashkët të Komunave në proceset vendimmarrëse. Gjendja aktuale me pandeminë mbetet një shqetësim kritik për vazhdimin e procesit mësimor në shkolla, duke marrë parasysh numrin e lartë të infektimeve të mësimdhënësve […]

Drejtorët e DKA-ve të gatshëm për çfarëdo vendimi rreth skenarëve të MAShTI-t, që mësimi të jetë sa më mirë i organizuar Foto: Ilustrim

Asociacioni i Komunave të Kosovës mbajti takimin e parë të Kolegjiumit për Arsim në kuadër të shtrirjes së strukturave të saja në përfaqësimin e përbashkët të Komunave në proceset vendimmarrëse. Gjendja aktuale me pandeminë mbetet një shqetësim kritik për vazhdimin e procesit mësimor në shkolla, duke marrë parasysh numrin e lartë të infektimeve të mësimdhënësve dhe nxënësve në institucionet arsimore.

Drejtorët Komunal të Arsimit shprehën gatishmërinë për çfarëdo vendim rreth skenarëve të Ministrisë së Arsimit, që mësimi të jetë sa më mirë i organizuar në këto kohë të vështira duke u ballafaquar me pandeminë Covid.

Përkundër angazhimit maksimal për mbarëvajtjen e procesit mësimor, Kolegjiumi për Arsim spikati shqetësimet e tyre lidhur me sfidat e vazhdueshme në procesin e arsimit komunal mbesin të njëjta për të gjithë, ku në bashkëbisedim edhe një herë u përmendën një varg çështjesh të cilat janë pengesë në zhvillimin e mirëfilltë të procesit mësimor në komuna.

Ndër të tjera pjesë e debatit ishte edhe angazhimi i mësimdhënësve shtesë në kuadër të pandemisë për të përmbushur nevojat e shkollave në këtë kohë. Njëra ndër problematikat e evidentuara mbetet numri i lartë i mësimdhënësve të infektuar, andaj edhe paraqiten mungesa të theksuara në mbarëvajtjen e një procesi të rregullt mësimor në shkolla.

Edhe pse një gjë e tillë është premtuar nga institucionet qendrore, gjegjësisht për zëvendësimin, ende nuk ka një formë të nevojshme për angazhimin e arsimtarëve shtesë në kohë pandemie.

Duke pasur parasysh që procesi mësimor të zhvillohet pa pengesa në këto kushte me pandeminë, duhet të kërkohet dhe të punohet për vaksinimin gjithëpërfshirës të fëmijëve në shkolla, për një mbarëvajtje të sigurt të procesit mësimor në kushte më të volitshme si për mësimdhënësit ashtu edhe për nxënësit.

Duke marrë parasysh rëndësinë e bashkëpunimit me Ministrinë e Arsimit, Shkencës Teknologjisë dhe Inovacionit (MASHTI), Kolegjiumi konsideron prioritet që në një afat të shpejtë të organizohet një takim i përbashkët me Ministren e Arsimit znj. Nagavci në diskutimin dhe koordinimin e politikave lokale, më ato qendrore në avancimin e politikave sa më të mira në fushën e arsimit.

Edhe një herë nga pjesëmarrësit u theksua rëndësia e Kolegjiumit si një mekanizëm i rëndësishëm konsultativ i cili ndihmon në nxitjen e debateve me komunat tjera në adresimin e sfidave dhe mundësive në zhvillimin e menaxhimit të arsimit.

Në këtë takim njëherësh është shqyrtua dhe miratua nga anëtarët edhe Rregullorja e Punës, si dhe është bërë edhe zgjedhja e Kryesisë dhe e Kryesuesit të këtij Kolegjiumi.

Kështu Kryesues i Kolegjiumit për Arsim është zgjedhur z. Samir Shahini – Drejtor për Arsim në Komunën e Fushë Kosovës kurse zv. kryesuese i këtij Kolegjiumi është zgjedhur znj. Fatbardha Emini – Drejtoreshë për Arsim në Komunën e Vitisë. Ndërsa anëtarë të tjerë të Kryesisë së Kolegjiumit u zgjodhën Drejtorët e Arsimit të Komunave: Gjakovë, Drenas, Mitrovicë, Vushtrri dhe Klinë.