Drama familjare në Ferizaj, 76-vjeçari ndalohet për kanosje me sëpatë
Një incident shqetësues ka ndodhur sot, 31 maj 2025, në fshatin Dardani të Ferizajt, ku një konflikt brenda familjes ka marrë përmasa serioze me kërcënime të armatosura.
Burime të Sinjalit bëjnë të ditur se i dyshuari H.I., 76 vjeçar, i cili jeton i vetëm, është afruar në shtëpinë e djalit të tij, I.I., 41 vjeçar, duke mbajtur një sëpatë në dorë. Ai e ka kërcënuar djalin se do ta mbyste nëse nuk ia kthente pasaportën dhe një sasi parash, për të cilat 76-vjeçari pretendonte se i ishin vjedhur.
Sipas raportimeve të hetuesve, gjatë marrjes në pyetje në prani të avokatit mbrojtës, i dyshuari ka dhënë deklarata konfuze. Ai madje ka pretenduar se gruaja e djalit të tij është bashkëshortja e tij. Familjarët kanë pohuar se ky është një fiksim mendor i përsëritur i 76-vjeçarit, i cili po shkakton frikë dhe shqetësim të madh për sigurinë e tyre.
Më herët, i dyshuari është vërejtur në disa raste duke mbajtur mjete të rrezikshme si thika apo sëpata, duke rritur shqetësimet për gjendjen e tij mendore dhe rrezikun potencial ndaj anëtarëve të familjes.
Me urdhër të Prokurorit të Shtetit, ndaj 76-vjeçarit H.I. është iniciuar rasti për veprën penale “Kanosje” dhe është caktuar masa e ndalimit prej 48 orësh. Autoritetet kompetente po vazhdojnë hetimet për të zbardhur të gjitha rrethanat e këtij rasti.