[DOKUMENT]: Ankesë e PDK-së në PZAP për vlefshmërinë e fletëvotimeve me postë nga diaspora
Partia Demokratike e Kosovës (PDK) ka dorëzuar sot një ankesë në Panelin Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa (PZAP), lidhur me administrimin e procesit të numërimit dhe shpalljen si të vlefshme të fletëvotimeve të dërguara me postë nga votimi jashtë Kosovës.
Sipas dokumentit të dorëzuar më 8 janar 2026, PDK pretendon se një pjesë e fletëvotimeve me postë janë pranuar dhe numëruar pas afatit ligjor të përcaktuar, por megjithatë janë shpallur si të vlefshme. Ankesa është paraqitur nga përfaqësuesit e autorizuar të PDK-së, duke u thirrur në Ligjin për Zgjedhjet e Përgjithshme në Republikën e Kosovës si dhe rregulloren përkatëse për procedurat e parashtresave dhe vendosjes së ankesave.

PDK kërkon nga PZAP që të shqyrtojë ligjshmërinë e këtij procesi dhe të marrë vendim në përputhje me dispozitat ligjore në fuqi, duke vlerësuar ndikimin e mundshëm të këtyre fletëvotimeve në rezultatin zgjedhor.
PZAP pritet të shqyrtojë ankesën brenda afateve ligjore dhe të dalë me vendim në ditët në vijim.
