“Dialogu, rruga e vetme e duhur”, porosia e Blinken për Kosovën gjatë vizitës në Shqipëri

16.02.2024

Sekretari amerikan i Shtetit, Antony Blinken gjatë konferencës për media në Tiranë me kryeministrin e Shqipërisë, Edi Rama a ka përsëritur edhe një herë qëndrimin se dialogu i ndërmjetësuar nga Bashkimi Evropian, është e vetmja rrugë për Kosovën dhe Serbinë për të shkuar drejt integrimit dhe se SHBA-ja e mbështet atë.

“Kur nisa punën në DASH [Departamentin amerikan të Shtetit] dhe Shtëpinë e Bardhë, 30 vite më parë, sfida ishte Ballkani. Në fillim Bosnja dhe më pas Kosova. Shumë prej nesh ka një histori të gjatë me Kosovën dhe kush më shumë se Biden. Jemi persona që e kemi këtë nocion që nuk mund të shkojmë pas. Jemi të angazhuar për të mbështetur përpjekjet për të çuar para integrimin e vendeve të Ballkanit. Dialogu i lehtësuar nga BE është shtegu i vetëm i duhur për Kosovën dhe Serbinë. Përgëzoj rolin e Shqipërisë pasi ka treguar një stabilitet rajonal”, ka thënë Blinkeni në Tiranë.

Blinken tha se Shtetet e Bashkuara nuk duan të shohin përsëritjen e asaj çfarë ka ndodhur në vitet e 90-ta në rajonin e Ballkanit, fillimisht në Bosnjë e pastaj edhe në Kosovë.

“Për këtë arsye jemi të angazhuar t’i mbështesim të gjitha përpjekjet për të çuar përpara integrimin e gjithë Ballkanit Perëndimor me njëri-tjetrin dhe Evropën. Sa i takon Kosovës dhe Serbisë, bisedimet e ndërmjetësuara nga Bashkimi Evropian janë rruga e vetme e duhur dhe jemi të angazhuar të bëjmë gjithçka që duhet për të mbështetur të dyja vendet që të përshkojnë këtë rrugë”, tha Blinken.

Sekretari Blinken nuk komentoi mospajtimet ndërmjet qeverisë amerikane dhe qeverisë së Kosovës rreth vendimit të autoriteteve në Prishtinë për ndalimin e përdorimit të dinarit serb në zonat e banuara me shumicë serbe në Kosovë.

Zyrtarë të lartë amerikanë gjatë ditëve të fundit kritikuan Qeverinë e Kosovës për mospërfilljen e kërkesës amerikane për shtyrje të vendimit për zbatim të shpejtë të rregullores së Bankës Qendrore të Kosovës, që ndalon valutën serbe si mjet ligjor pagese në Kosovë.

Ata e cilësuan këtë si vendim të njëanshëm që mund të prodhojë pasoja edhe në partneritetin me SHBA-në.

Ndihmëssekretari amerikan i Shtetit për Evropën dhe Euroazinë, James O’Brien,  të martën ka thënë se Shtetet e Bashkuara mund të mos e trajtojnë Kosovën si partnere, nëse ajo merr vendime pa u konsultuar me të, pas vendimit për ndalimin e dinarit.

O’Brien tha të martën se Kosova duhet ta pezullojë vendimin e BQK-së menjëherë dhe të punojë si “shtet modern evropian” për gjetjen e një zgjidhjeje të “këtij problemi konkret”.

“Njerëzit duhet ta dinë se si do t’i paguajnë faturat. Kur lexoj deklaratën e Bankës Qendrore, aty nuk thotë se do ta lejohet përdorimi i dinarit. Thotë se do të ofrohet një alternativë. Kjo duhej bërë para se të zbatohej vendimi në bashkëpunim me komunitetet e prekura dhe me fqinjët që preken nga vendimi dhe sinqerisht me Bashkimin Evropian dhe me ne”, tha O’Brien.

Ndërsa, gjatë ditës së djeshme Ambasadori amerikan në Prishtinë, Jeffrey Hovenier, në një konferencë për media ka përsëritur thirrjen që Kosova ta shtyjë vendimin për dinarin, rregullore kjo e marrë nga Banka Qendrore e Kosovës, shkruan Reporteri.net.

“Ne kemi shpresuar se Qeveria e kryeministrit Albin Kurti do të angazhohej, siç bëjnë partnerët, për ta zgjidhur këtë çështje se bashku, në vend se të merren veprime në mënyrë të njëanshme… ne jemi të shqetësuar që Qeveria e Kurtit nuk e ka bërë këtë. Çfarëdo sugjerimi se gjërat janë në rregull, se ne të gjithë ne pajtohemi me njëri-tjetrin, nuk është aspak e vërtetë”, tha Hovenier.

“Mesazhet e mia ishin të qarta. Ne nuk po sfidojmë institucionet e Kosovës, por po i bëjmë thirrje Qeverisë së Kosovës, që të shtyjë vendimin”, tha mes tjerash ambasadori Hovenier.

Hovenieri mes tjerash e ka bërë të qartë se çështja me dinarin “ka ndikuar në partneritetin e SHBA-së me Kosovën”, duke demantuar eksponentë të Qeverisë të cilët e kanë thënë të kundërtën.

Deklaratat e ashpra të ambasadorit amerikan në Prishtinë erdhën  një ditë pasi kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, tentoi t’i hedhë poshtë sugjerimet e ndihmëssekretarit amerikan të Shtetit, James O’Brien, se Kosova po e rrezikon partneritetin me Shtetet e Bashkuara pas vendimit për ndalimin e dinarit serb.

“Më lejoni të theksoj sa problematik është ky moment saqë se qeveritë tona nuk duket se po punojnë në partneritet me njëra-tjetrën. Prandaj, dua që t’i shmangim gjëra të tjera si këto”, tha Hovenier.

“Republika e Kosovës nuk ka partner, aleat edhe mik të rëndësishëm sikurse Shtetet e Bashkuara, kështu e konsideroj dhe bashkëpunoj unë si kryeministër i Kosovës”, ishte shprehur Kurti të mërkurën.

Hovenier, në konferencë, ka përmendur edhe thirrjen e para disa ditëve të ndihmës sekretarit të Shtetit, James O’Brien.

“O’Brien ia bëri të qartë qëndrimin tonë edhe kryeministrit Kurti. Ne jemi të shqetësuar dhe të frustruar dhe mendoj se toni i ndihmëssekretarit O’Brien e pasqyron këtë shumë qartë”, tha ai.

Hovenier, edhe më herët është deklaruar se pavarësisht se vendimi për rregulloren e Bankës Qendrore të Kosovës për përdorimin vetëm të valutës euro për pagesa në Kosovë është marrë më 27 dhjetor 2023, por u kumtua në janar të këtij viti, Washingtoni nuk ka qenë i informuar paraprakisht për të.