Dhoma e Tregtisë: Vendimi i ZRRE-së po rrezikon 22 mijë vende pune
Dhoma e Tregtisë dhe Industrisë së Kosovës ka reaguar ashpër ndaj vendimit të Zyrës së Rregullatorit për Energji (ZRRE), e cila ka urdhëruar kompaninë KEDS të nisë shkyçjen e qindra bizneseve nga rrjeti elektrik.
Foto: Ilustrim
Sipas Dhomës, ky veprim i rrezikon seriozisht themelet e ekonomisë së vendit, duke sjellë pasoja të mëdha sociale e financiare. Në reagimin e saj, theksohet se 22 mijë vende pune janë në rrezik, ndërsa dy milionë qytetarë mund të përballen me rritje të çmimeve si pasojë e këtij vendimi.
“Ky veprim arbitrar dhe i papërgjegjshëm po rrit çmimet e konsumit për dy milionë qytetarë dhe po rrezikon largimin nga puna të së paku 22 mijë punëtorëve,” thuhet në njoftimin e Dhomës së Tregtisë dhe Industrisë.
Po ashtu, thuhet se shumë biznese nuk janë pajtuar me kushtet e ofruara, duke i konsideruar ato të papranueshme dhe të dëmshme, ndërkohë që një pjesë tjetër ka bërë marrëveshje të përkohshme ose është ende në pritje të vendimeve të gjykatave dhe të formimit të institucioneve të reja shtetërore.
Dhoma paralajmëron se nëse ky proces nuk ndalet, pasojat do të jenë dramatike: mbyllje të aktiviteteve biznesore, humbje të prodhimit vendor, rritje të importit, rritje të çmimeve dhe varfërim i mëtejshëm i qytetarëve.
Për këtë arsye, Dhoma e Tregtisë dhe Industrisë i ka bërë thirrje institucioneve të Kosovës që të ndërhyjnë urgjentisht për të ndalur atë që e ka quajtur “proces të dhunshëm dhe të padrejtë”, i cili, sipas saj, rrezikon të godasë rëndë ekonominë e vendit.