Deputeti i PDK-së: Jemi parti bashkëpunuese, por për presidentin s’bëjmë kompromise
Konstituimi i Kuvendit si dhe krijimi i Qeverisë tashmë janë përfunduar, por është edhe hapi tjetër ku pritet të votohet presidenti i ri i Republikës së Kosovës. Deputetja nga lista “Guxo”, Vjosa Osmani është kandidate pretendente për presidente të Kosovës. Partitë politike kanë nisur t’i japin qëndrimet e tyre sa i përket votimit apo kuorimit […]
Konstituimi i Kuvendit si dhe krijimi i Qeverisë tashmë janë përfunduar, por është edhe hapi tjetër ku pritet të votohet presidenti i ri i Republikës së Kosovës.
Deputetja nga lista “Guxo”, Vjosa Osmani është kandidate pretendente për presidente të Kosovës.
Partitë politike kanë nisur t’i japin qëndrimet e tyre sa i përket votimit apo kuorimit në seancën për votimin e presidentit.
Deputeti i PDK-së, Ferat Shala ka thënë se si parti nuk është përjashtuese, por kur vihet pyetja për çështjen e presidentit, ai ka thënë se nuk bëjnë kompromise, kur kandidatët nuk përfaqësojnë unitet politik.
Shala për EkonomiaOnline ka thënë se proceset me të cilat do të ballafaqohet Kosova në të ardhmen nuk do të jenë të lehta.
Ai ka theksuar se PDK është parti opozitare dhe do të jenë aktiv me të gjithë dimensionin e tyre social, ekonomik e parlamentare në raport me institucionet e shtetit.
“Qëndrimi jonë tashmë është i qartë, ne jemi parti opozitare dhe do jemi aktiv me të gjithë dimensionin e vet social, ekonomik e parlamentar, do jemi kujdestarë në raport me institucionet e shtetit. Do të bëjmë të mundurën në mënyrën më demokratike që t’i ruajmë institucionet vitale dhe pozicionin e shtetit të Kosovës në raport me gjitha ato zhvillime të cilat e presin dhe nuk janë të lehta dhe të pakta, pra do të jemi në shërbim të qytetarit, dhe të politikës e cila e mbron Kushtetutën dhe vendin tonë”, tha Shala.
“PDK dhe strukturat e saj, Këshilli Drejtues dhe Kryesia kanë marrë qëndrim që nuk do të ketë votë për znj.Osmani për kandidate si Presidente. Arsyeja e parë është që në asnjë moment të jetës së saj politike dhe legale nuk ka reflektuar si person i unitetit, pra pozicioni i Presidentit punën e parë, dhe momentin e parë e karakteristikën e parë si pozicion duhet ta ketë si personalitet që reflekton unitet dhe gjithëpërfshirje në kuptimin e udhëheqjes. Veti këto që nuk i gjejmë tek ajo, që nga hyrja në skenën politike e deri sot në asnjë rast dhe moment nuk e kemi parë personalitetin e unitetit tek ajo”, deklaroi Shala.
“Personaliteti i Presidentit duhet të jetë unifikues, intelektual me kulturë dhe vizion të shtetit, i cili nuk e ka dëmtuar asnjëherë pozicionin nacional dhe kombëtar, një figurë e pastër kombëtare dhe intelektuale”, u shpreh ai.