Deputetët e rinj kërkojnë formimin sa më të shpejtë të qeverisë

31.01.2020

Deputetët e rinj të partive të ndryshme pjesëmarrëse në Kuvendin e Kosovës, kërkojnë që sa më parë të arrihet një marrëveshje ndërmejt LDK-së dhe VV-së për të formuar qeverinë. Në diskutimin publik “Kuvendi në sytë e të rinjve: Sfidat që duhet të adresohen nga legjislatura e VII-të, të organizuar nga Instituti Demokratik i Kosovës (KDI)”, […]

Deputetët e rinj kërkojnë formimin sa më të shpejtë të qeverisë Foto: Ilustrim

Deputetët e rinj të partive të ndryshme pjesëmarrëse në Kuvendin e Kosovës, kërkojnë që sa më parë të arrihet një marrëveshje ndërmejt LDK-së dhe VV-së për të formuar qeverinë.

Në diskutimin publik “Kuvendi në sytë e të rinjve: Sfidat që duhet të adresohen nga legjislatura e VII-të, të organizuar nga Instituti Demokratik i Kosovës (KDI)”, deputetët shprehen besimin për një arritje të marrëveshjes para seancës për votimin e qeverisë së re.

Deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Artan Abrashi beson se marrëveshja me LDK do të arrihet.

Abrashi potencoi se është më e duhur të zgjatet një proces e mos të ketë probleme si në të kaluarën, raporton Ekonomia Online.

“Ende besoj që do të ketë një marrëveshje, kemi pasur bindjen që është çështje e kryer pas certifikimit të rezultateve. Nuk i kemi pritur disa çështje që na dolën në rrugë. Kjo u stërgjatë shumë. Më mirë të zgjatet një proces e të bëhet mirë se sa të dalin probleme si në të kaluarën. Uroj të jetë marrëveshje që sqarohet çdo dilemë, që pasi të fillohet puna që mos të diskutohen me për dilema”, tha ai.

Besian Mustafa nga LDK, deklaroi se vullneti për bashkëqeverisje është i pandryshuar për bashkëqeverisje.

Ai beson se të hënën do të ketë kryeministër.

“Kemi bërë të qartë si VV që i vetmi partner do të jetë ai. Vazhdon të jetë besimi. Ekziston vullneti që të ketë një bashkëqeverisje, besoj se të hënën do të ketë një kryeministër. Jemi parti të ndryshme në planprograme, kanë mbetur dallime të vogla”, ka thënë ai.

Kurse nga opozita, Eliza Hoxha nga PDK  tha se janë pro krijimit të qeverisë se re.

“Ne jemi pro krijimit të qeverisë. Jemi distancuar nga zgjedhjet e 6 tetorit. Do të dalim me një përgjigje të kryesisë të hënën, tha ajo.

Deputetja nga AAK-ja, Albena Reshitaj tha se të gjithë janë të zhgënjyer me këtë situatë. Sipas saj, koalicioni duhet të bëhet, Kosova është e vogël për t’u bërë kaq shumë mjegull.

“Jam e zhgënjyer me këtë situatë në Kosovë. Është ofenduar vota e qytetarit. Kosovës më shumë se kurrë i duhet një koalicion praktik. AAK dyshon se një koalicion i tillë do të jetë funksional nuk është i natyrshëm. Kosova është e vogël për të bërë kaq shumë mjegull”, tha Reshitaj.