Darkë zyrtare në Londër: Kurti dhe Coaker flasin për bashkëpunim strategjik

10.04.2026

Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, gjatë vizitës zyrtare në Mbretërinë e Bashkuar, është pritur në një darkë nga Ministri i Shtetit për Mbrojtje, Lord Vernon Coaker, në ambientet e “Naval and Military Club” në Londër.

Në këtë takim, Kurti shprehu mirënjohjen e thellë për mbështetjen e vazhdueshme të Mbretërisë së Bashkuar ndaj Kosovës ndër vite.

Ai veçoi ndihmën për refugjatët gjatë luftës, rolin e rëndësishëm të Gjeneralit Michael Jackson në procesin e çlirimit, si dhe kontributin britanik në ndërtimin e institucioneve dhe zhvillimin e vendit pas luftës.

Kryeministri theksoi gjithashtu rëndësinë e thellimit të bashkëpunimit në fushën e mbrojtjes dhe sigurisë, duke nënvizuar interesin e Kosovës për partneritet më të ngushtë në trajnimet ushtarake, bashkëzbarkimet dhe zhvillimin e kapaciteteve profesionale.

Takimi u vlerësua si një hap i rëndësishëm drejt forcimit të marrëdhënieve bilaterale dhe avancimit të bashkëpunimit strategjik mes Kosovës dhe Mbretërisë së Bashkuar.