Dallaveret me subvencione, Prokuroria Speciale ngre aktakuzë ndaj tetë zyrtarëve dhe dy qytetarëve

23.11.2023

Prokuroria Speciale ka njoftuar se ka ngritur aktakuzë ndaj 10 personave, tetë prej të cilëve zyrtarë, në rastin e njohur si “Subvencioni IV”. Tre prej tyre janë zyrtarë nga Agjencia për Zhvillimin e Bujqësisë në Prishtinë, tre zyrtarë të AZHB-së në Regjionin e Pejës, një zyrtar nga Drejtoria për Bujqësi në Komunën e Istogut dhe […]

Dallaveret me subvencione, Prokuroria Speciale ngre aktakuzë ndaj tetë zyrtarëve dhe dy qytetarëve Foto: Ilustrim

Prokuroria Speciale ka njoftuar se ka ngritur aktakuzë ndaj 10 personave, tetë prej të cilëve zyrtarë, në rastin e njohur si “Subvencioni IV”.

Tre prej tyre janë zyrtarë nga Agjencia për Zhvillimin e Bujqësisë në Prishtinë, tre zyrtarë të AZHB-së në Regjionin e Pejës, një zyrtar nga Drejtoria për Bujqësi në Komunën e Istogut dhe një zyrtar nga Drejtoria për Bujqësi në Komuna e Lipjanit.

Ata dyshohen për “Marrje ryshfeti”, “Ushtrim ndikimi”, “Ndihmë në veprën penale Marrje ryshfeti”, “Mashtrim në detyrë”, “Dhënie ryshfeti” dhe “Mashtrim me subvencione”.

Njoftimi i plotë i Prokurorisë Speciale:

Prishtinë, 23 nëntor 2023 – Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës (PSRK), ka ngritur aktakuzë në Gjykatën Themelore në Prishtinë – Departamentin Special, kundër dhjetë (10) të pandehurve, prej tyre tetë (8) zyrtarë dhe dy (2) qytetarë, në rastin e njohur si “Subvencioni IV”.

Prokuroria Speciale njofton se personat zyrtarë si të pandehur janë, tre (3) zyrtar nga Agjencia për Zhvillimin e Bujqësisë në Prishtinë, tre (3) zyrtarë të AZHB-së në Regjionin e Pejës, një (1) zyrtarë nga Drejtoria për Bujqësi në Komunën e Istogut dhe një (1) zyrtarë nga Drejtoria për Bujqësi në Komuna e Lipjanit.

Gjithashtu, ju njoftojmë se për të pandehurit ekziston dyshimi i bazuar mirë se kanë kryer veprat penale, ‘’Marrje ryshfeti’’ nga neni 421 paragrafi 2 lidhur me nenin 77 Veprat penale në vazhdim të Kodit Penal të Republikës së Kosovës, ‘’Ushtrimi i ndikimit’’ nga neni 424 paragrafi 1 lidhur me nenin 77 Veprat penale në vazhdim të Kodit Penal të Republikës së Kosovës, ‘’Ndihmë në veprën penale Marrje ryshfeti’’ nga neni 421 paragrafi 2 lidhur me nenin 33 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës, ‘’Mashtrim në detyrë’’ nga neni 419 paragrafi 1 lidhur me paragrafin 3 dhe me nenin 77 vepra penale në vazhdim të Kodit Penal të Republikës së Kosovës, ‘’Dhënie ryshfetit’’ nga neni 422 paragrafi 2 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës, si dhe ‘’Mashtrim me subvencione’’ nga neni 324 paragrafi 1 lidhur paragrafin 3 dhe nenin 77 Veprat penale në vazhdim të Kodit Penal të Republikës së Kosovës.