Çmimet e naftës kanë arritur nivelin më të lartë që nga paslufta në Kosovë

09.03.2022

Normalisht për qytetarët janë të papërballueshme rritjet të tilla të çmimeve të derivateve dhe produkteve ushqimore duke marrë parasysh pagat që janë të vogla, ku paga minimale ende është 170 euro. Derisa flitet për mundësinë e rritjes së mëtutjeshme të çmimeve të derivateve, në drejtim të Qeverisë kanë filluar kërkesat për uljen ose largimin e […]

Çmimet e naftës kanë arritur nivelin më të lartë që nga paslufta në Kosovë Foto: Ilustrim

Normalisht për qytetarët janë të papërballueshme rritjet të tilla të çmimeve të derivateve dhe produkteve ushqimore duke marrë parasysh pagat që janë të vogla, ku paga minimale ende është 170 euro.

Derisa flitet për mundësinë e rritjes së mëtutjeshme të çmimeve të derivateve, në drejtim të Qeverisë kanë filluar kërkesat për uljen ose largimin e akcizës dhe TVSH-së, për derivatet.

Një gjë e tillë po vlerësohet si e domosdoshme nga përfaqësues të bizneseve dhe se do të ndikonte pozitivisht te qytetarët dhe bizneset.

Në Kosovë çmimet e derivateve po rriten me ritme shumë të shpejta, ku nga 1 euro e 54 centë e deri në 1 euro e 67 centë, varionte çmimi i derivateve të naftës në shumë pompa.

Përkundër ndryshimit të çmimeve, si pasojë e shtrenjtimit të derivateve të naftës edhe në bursën ndërkombëtare, kryetari i Shoqatës së Naftëtarëve, Fadil Berjani, në vazhdimësi pohon se çmimet në Kosovë janë më të lira se në disa vende të Ballkanit.

E pas ngritjes së theksuar të çmimit, të hënën, kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiku, ka thënë se Qeveria aktuale po tregohet e paaftë në përballjen me krizën aktuale. Për tejkalimin e situatës, mes tjerash ai ka rekomanduar të reduktohet akciza dhe të zvogëlohet TVSH-ja.

Edhe kryetari i Aleancës Kosovare të Biznesit, Agim Shahni, thotë për Radio Kosovën, se Qeveria duhet të largojë akcizën për naftën.

 “Shteti i Kosovës ka hapësirë dhe mundësi pa e rrezikuar buxhetin e shtetit, të heqë akcizën e derivateve e cila është 35 centë për litër, pasi tashmë është caktuar edhe limiti i marzhës 6% për bizneset që shesin derivate. Këto të dyja do të ndikojnë në uljen e çmimit.

Të marrim si shembull, nëse sot një litër naftë është 1 euro e 50 centë, ajo me automatizëm do të bie në 1 euro”, tha ai.

Shahini thotë se heqja e përkohshme e akcizës së derivateve është domosdoshmëri dhe do të ndikonte pozitivisht te qytetarët dhe bizneset.

Në situatën që jemi, monitorimi i tregut është më se i nevojshëm, ka thënë për RTK-së njohësi i çështjeve ekonomike, Ismet Mulaj, i cili si mundësi për uljen e çmimeve, përmend edhe uljen e akcizës e TVSH-së.

“Instrumenti i parë është për të krijuar sasi. Instrumenti i dytë është monitorimi  i rreptë i tregut të karburanteve. Instrumenti i tretë është ulja e akcizës dhe TVSH-së. Ne për një litër naftë paguajmë rreth 36 centë akcizë, e kur kësaj i shtojmë edhe TVSH-në, diku rreth 60 centë paguajmë tatime. Nëse ulen tatimet, automatikisht ulen edhe çmimet”, tha ai.

Me qëllim të mbrojtjes së konsumatorëve, Qeveria e Kosovës ditë më parë vendosi që të mos lejojë më shumë se 6% fitim për shitësit e derivateve me pakicë dhe 4% për shitësit me shumicë.