Bizneset bllokojnë nesër hyrjet kryesore të Prishtinës në shenjë proteste kundër liberalizimit të energjisë
Nesër, hyrjet kryesore të Prishtinës do të bllokohen për dy orë nga bizneset në shenjë proteste kundër liberalizimit të tregut të energjisë elektrike, i cili pritet të hyjë në fuqi më 1 qershor.
Oda Ekonomike e Kosovës (OEK) ka njoftuar se protesta paqësore do të zhvillohet nga ora 10:00 deri në 12:00 dhe do të prekë pikat kyçe hyrëse në kryeqytet.
Sipas OEK-ut, bllokimet do të jenë si vijon:
- Hyrja nga Veterniku dhe Gjilani: Përfshirë hyrjen nga Albi Mall e poshtë Veternikut, duke bllokuar kështu aksesin nga Ferizaj, Gjilan dhe Aeroporti.
- Hyrja nga Fushë-Kosova dhe Mitrovica: Duke bllokuar hyrjen nga rrethi i Madh te Lakrishtja (Dukagjini Tower).
- Hyrja nga Podujeva: Në lagjen Vranjevc, te ish-Humanisti dhe udhëkryqi pranë bankës Raiffeisen, duke bllokuar hyrjet dhe daljet nga Podujeva dhe lëvizjet nga Dragodani drejt Shkabaj/Orlloviq.
Në rrugë do të vendosen automjete të kompanive të cilat do të preken nga vendimi i liberalizimit, me qëllim të bllokimit të trafikut.
Oda Ekonomike ka paralajmëruar se nëse kërkesat e tyre nuk plotësohen, protestat do të intensifikohen, duke zgjatur deri në 4 orë dhe me bllokim të plotë të hyrjeve në Prishtinë.
“Në mungesë të reagimit institucional: protesta do të vazhdojë çdo ditë, gjatë gjithë ditës, deri në reflektim dhe veprim konkret nga institucionet përgjegjëse,” thuhet në njoftimin e OEK-ut.
Zyra e Rregullatorit të Energjisë (ZRrE) nuk ka dhënë ende shpjegime të detajuara për ndikimin e liberalizimit në tarifat e energjisë për konsumatorët me qarkullim mbi 10 milionë euro ose me mbi 50 punëtorë. Megjithatë, Oda Ekonomike paralajmëron se në tregun e lirë, ofertat aktuale janë deri në 200% më të shtrenjta