BE-ja ka investuar 3.7 miliardë euro në Kosovë që nga viti 1999
Ambasadori i Bashkimit Evropian në Kosovë, Aivo Orav, ka deklaruar se BE-ja mbetet partneri më i rëndësishëm i Kosovës, duke njoftuar se 3.7 miliardë euro janë investuar në vend që nga viti 1999.
Foto: Ilustrim
Këto komente ai i bëri sot në Prishtinë, gjatë hapjes së ekspozitës fotografike “BE-në përkrah”, një instalim publik që paraqet nëpërmjet fotografive ndikimin e projekteve të Bashkimit Evropian në jetën e përditshme të qytetarëve të Kosovës.
“BE-ja është partneri më i fortë dhe më i besueshëm i Kosovës”
Gjatë fjalimit të tij në ceremoninë e hapjes, ambasadori Orav u shpreh se ka qenë nder për të të hapë këtë ekspozitë, duke theksuar rëndësinë e mbështetjes së BE-së në zhvillimin e institucioneve dhe infrastrukturës së vendit.
“Me 3.7 miliardë euro të investuara në Kosovë që nga viti 1999, BE-ja mbetet partneri juaj më i fortë, më i besueshëm dhe ofruesi më i madh i ndihmës financiare”, tha Orav.
Ai shtoi se mbështetja e BE-së për Kosovën vazhdon pa ndërprerje, duke përmendur projektet në fusha si sundimi i ligjit, arsimi, energjia, mjedisi dhe zhvillimi ekonomik.
Ekspozita “BE-në përkrah” – dëshmi vizuale e ndikimit të investimeve evropiane
Ekspozita e hapur në kryeqytet përmbledh fotografi nga projekte të ndryshme të financuara nga BE-ja, të cilat synojnë përmirësimin e kualitetit të jetës së qytetarëve. Ajo paraqet histori suksesi nga të gjitha rajonet e Kosovës, duke ilustruar se si investimet evropiane kanë ndikuar në komunitete, biznese dhe institucione.
Mbështetja evropiane do të vazhdojë
Ambasadori Orav përfundoi duke theksuar se Bashkimi Evropian mbetet i përkushtuar ndaj rrugëtimit evropian të Kosovës, ndërsa investimet e ardhshme do të fokusohen në projektet që sjellin stabilitet ekonomik, fuqizim të sundimit të ligjit dhe zhvillim afatgjatë.